Votime të trazuara, përplasje dhe një grup i diskutueshëm bisede: prej muajsh politikanët debatojnë nëse duhet të ketë qendra dëbimi edhe jashtë BE-së. Ligji i nevojshëm tashmë është miratuar – po tani?
(dpa) Vendet anëtare të BE-së kanë krijuar përfundimisht bazën ligjore për ngritjen e qendrave të diskutueshme të dëbimit në vende të treta. Si hap të fundit formal, ministrat e Brendshëm të BE-së i dhanë dritën e gjelbër ligjit gjatë një takimi në Luksemburg. Më herët, miratimin formal e kishte dhënë edhe Parlamenti Evropian.
Në qendrat e planifikuara të dëbimit – të quajtura edhe «Return Hubs» – do të dërgohen persona të cilët, sipas një vendimi të ekzekutueshëm, janë të detyruar të largohen nga vendi, por që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës, sepse këto të fundit refuzojnë t’i ripranojnë. Gjermania po e çon përpara prej kohësh projektin e këtyre qendrave së bashku me Austrinë, Danimarkën, Greqinë dhe Holandën.
Dobrindt: Një çështje e vështirë për t’u negociuar
Ministri federal gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, shpreson që një marrëveshje me vende të treta të arrihet ende gjatë këtij viti. «Kjo është një çështje shumë e vështirë dhe duhet shumë punë për ta çuar përpara; në muajt e ardhshëm duhet të diskutojmë edhe gatishmërinë e palës tjetër, pra të vendeve të treta», tha politikani i CSU-së përpara takimit me homologët e tij. Dobrindt nuk dha hollësi se me cilat vende të treta po zhvillohen negociata.
Për qendrat e mundshme të kthimit, të ashtuquajturat «Return Hubs», debatohet prej vitesh dhe ato janë jashtëzakonisht të diskutueshme. Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International druhet se në këto qendra mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut dhe paralajmëron kundër marrëveshjeve me vende të përfshira në konflikte ose politikisht të paqëndrueshme.
Edhe socialdemokratët dhe të Gjelbrit e kritikojnë këtë model. Marrëveshjes për rregullat e reja të azilit i parapriu një qëndrim i përbashkët i Partisë Popullore Evropiane (PPE), nën drejtimin e Manfred Weberit të CSU-së, dhe i krahut të djathtë në Parlamentin Evropian. Për këtë çështje, PPE-ja ishte koordinuar me të djathtën, ndër të tjera edhe përmes një grupi të diskutueshëm në WhatsApp.
Ligji i ri mundëson edhe ndalim më të gjatë në pritje të dëbimit
Rregullat e reja të migracionit përcaktojnë gjithashtu se në ç’mënyrë duhet të bashkëpunojnë azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, në procedurën e dëbimit të tyre, nëse duan të shmangin ndalimin.
Në të gjithë BE-në, ata rrezikojnë t’u reduktohen ose t’u ndërpriten përfitimet për jetesë, ose t’u konfiskohen dokumentet e udhëtimit.
Ndalimi në pritje të dëbimit mund të urdhërohet gjithashtu nëse autoritetet kompetente të vendeve anëtare konstatojnë rrezik arratisjeje ose rrezik për sigurinë kombëtare. Me rregullat e reja zgjatet edhe kohëzgjatja e lejuar e ndalimit, deri në maksimum 24 muaj, me mundësi zgjatjeje edhe për gjashtë muaj të tjerë në raste të veçanta./Neue Zürcher Zeitung (NZZ)















