Nga Enola Richet
Afro 200 persona të izoluar dhe nën mbikëqyrje, reparte të tëra spitalore në karantinë dhe disa vende fqinje në alarm… Në Siberinë Lindore, vdekja e një punonjëseje të një laboratori kërkimor të specializuar për murtajën ka ngjallur frikën e një vatre epidemike. Kjo ka sjellë edhe marrjen e masave të gjera parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje shekullore, jashtëzakonisht ngjitëse, me një shkallë vdekshmërie që varion nga 30 deri në 100%. Çështja mori shpejt përmasa ndërkombëtare dhe po ndiqet deri në Uashington dhe Bruksel.
Daria Shipilova, teknike laboratori 28-vjeçare në Institutin Kërkimor kundër Murtajës në Irkutsk, vdiq natën mes 1 dhe 2 tetorit. Media amerikane Axios raporton, duke cituar informacione lokale që nuk janë konfirmuar deri tani, se ajo dyshohet të ketë thyer më 25 shtator një epruvetë që përmbante agjentin patogjen të murtajës pneumonike dhe më pas të jetë shtruar në spital më 29 shtator për një pneumoni të rëndë.
Një „infeksion veçanërisht i rrezikshëm“
Por, disa ditë pas vdekjes së saj, autoritetet ruse ende nuk kanë konfirmuar se ajo vdiq nga murtaja pneumonike. Agjencia ruse përgjegjëse për mbikëqyrjen e sëmundjeve infektive, Rospotrebnadzor, pohon nga ana e saj se studiuesja vuante tashmë nga „një pneumoni me etiologji të panjohur“ dhe siguron se në mostrat e marra prej saj nuk është gjetur asnjë mikroorganizëm i lidhur me veprimtarinë e saj profesionale.
Megjithatë, reagimi i autoriteteve ruse lë të kuptohet një nivel i lartë shqetësimi. Në Telegram, guvernatori i rajonit të Irkutskut deklaroi se drejtoresha e Rospotrebnadzor-it, Anna Popova, kishte shkuar në qytet të premten, më 2 tetor, për të marrë pjesë në një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me „një rast të dyshuar infeksioni veçanërisht të rrezikshëm“, vëren televizioni amerikan CNN. Edhe më domethënës është fakti se spitali ku u trajtua e reja është vendosur ndërkohë në karantinë dhe disa reparte kanë pezulluar pranimin dhe daljen e pacientëve, sipas mediave lokale.
Komisioni Europian po e ndjek rastin „nga shumë afër“
Sipas informacioneve të CNN-it dhe Axios-it, mësohet se ndërkohë janë identifikuar rreth 200 persona që kanë pasur kontakt me të dhe janë vendosur nën mbikëqyrje. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila është në kontakt me autoritetet shëndetësore ruse, pohon nga ana e saj se deri tani asnjëri prej këtyre personave nuk ka shfaqur simptoma. Sipas Rospotrebnadzor-it, disa persona që kanë pasur kontakt me studiuesen kanë rezultuar pozitivë për Covid-19 ose për një rinovirus, pa u vërtetuar ndonjë lidhje me murtajën.
Diagnoza e murtajës nuk është përcaktuar ende zyrtarisht, ndërsa analizat vazhdojnë, saktëson OBSH-ja. Kjo mungesë e një përfundimi nuk i qetëson qeveritë në mbarë botën. Disa vende fqinje, si Kazakistani, Uzbekistani dhe Kirgizistani, kanë njoftuar forcimin e masave parandaluese shëndetësore. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë i tha gjithashtu Axios-it se po e monitoronte situatën, duke i bërë thirrje Moskës të jepte informacione „të sakta“, „shpejt dhe në mënyrë të hapur“. Edhe Komisioni Europian deklaroi se po e ndiqte „nga shumë afër“ këtë incident, „i cili duket se përfshin një agjent patogjen që shkakton murtajën“, dhe se ishte i gatshëm të bashkërendonte një përgjigje mes shteteve anëtare, nëse do të ishte e nevojshme./L’Express.fr















