Ballina Bota Lufta në Ukrainë: Kaliningradi, pistoleta ruse në tëmthin e Europës

Lufta në Ukrainë: Kaliningradi, pistoleta ruse në tëmthin e Europës

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Luc de Barochez

Bastion rus i rrethuar nga të gjitha anët prej NATO-s, Kaliningradi, në Detin Baltik, është një vatër tensioni ku përplasja mes Rusisë dhe Europës rrezikon në çdo çast të shndërrohet në një përballje. Vladimir Putini i hodhi edhe një herë benzinë zjarrit gjatë fjalimit të 1 tetorit në Forumin Valdai në Moskë. Ai kërcënoi se do të përdorte „të gjitha armët“ që ka në dispozicion — nënkuptohet: edhe arsenalin bërthamor — nëse enklava do t’i nënshtrohej një bllokade perëndimore. Kërcënimi bërthamor u përforcua nga një dokument argumentues i dorëzuar NATO-s, në të cilin Kremlini nuk përjashton „sulme parandaluese, që në fazën e parë të konfliktit, ndaj qendrave vendimmarrëse“ të vendeve të Aleancës Atlantike.

Kjo retorikë, sa e frikshme aq edhe e papërgjegjshme, nuk duhet marrë fjalë për fjalë. Synimi është, para së gjithash, politik. Presidenti rus i paraqet qeveritë perëndimore si luftënxitëse, për t’i shtyrë votuesit, veçanërisht në Gjermani dhe Francë, drejt partive populiste që tregojnë mirëkuptim ndaj regjimit të tij. Manovra është e trashë, por funksionon: nëse vendet perëndimore janë treguar të kujdesshme në ndihmën ushtarake për Ukrainën që prej pushtimit rus të vitit 2022, kjo ka ndodhur në një masë të madhe nga frika se mos i japin Kremlinit një pretekst për të përdorur armën përfundimtare.

Enklava tejet e ndjeshme e Kaliningradit ia detyron ekzistencën e saj diktatorit sovjetik Josif Stalin, i cili, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, aneksoi një territor gjerman: pjesën veriore të Prusisë Lindore. Shpërbërja e BRSS-së në vitin 1991 i çoi vendet baltike drejt shpalljes së pavarësisë, duke e shkëputur Kaliningradin nga Rusia. Më pas, anëtarësimi i Polonisë dhe i vendeve baltike në NATO dhe në BE e përmbylli izolimin e territorit. Përpjekjet për ta shndërruar në një „Hong-Kong të Baltikut“, një zonë të lirë ekonomike ruse të hapur ndaj Europës, dështuan. Në vitin 2005, gjatë një mbrëmjeje të ngrohtë vere, Putini priti atje homologët e tij francez dhe gjerman, Jacques Chirac dhe Gerhard Schröder, me rastin e 750-vjetorit të themelimit të qytetit nga kalorësit teutonikë. Në fund të fundit, Kaliningradi, ish-Königsbergu, është dy herë më afër Berlinit sesa Moskës.

Ky zbutje e tensioneve ishte iluzore. Enklava është, në të vërtetë, një fortesë e armatosur rëndë në zemër të NATO-s. Porti ushtarak i Baltijskut — i lirë nga akulli gjatë gjithë vitit, ndryshe nga ai i Kronstadtit pranë Shën-Petërburgut — strehon flotën ruse të Baltikut; stacionet e radarëve vëzhgojnë lëvizjet ajrore përreth; raketat Iskander, me rreze veprimi prej rreth 700 kilometrash dhe të afta të mbajnë koka luftarake bërthamore, kërcënojnë Europën Qendrore, përfshirë Berlinin, Varshavën dhe Pragën.

Në rast konflikti, ushtrisë ruse dhe aleatit të saj bjellorus do t’u mjaftonte të pushtonin një pjesë të vogël territori përgjatë kufirit mes Lituanisë dhe Polonisë — „korridorin e Suvalkit“, vetëm 60 kilometra të gjerë — për të ndërprerë çdo lidhje tokësore mes vendeve baltike dhe pjesës tjetër të NATO-s. Tensionet vetëm sa janë shtuar që prej pushtimit të Ukrainës, i cili i shtyu dy vende në brigjet e Baltikut, Suedinë dhe Finlandën, të anëtarësoheshin në NATO. Kjo e fundit e përforcoi ndjeshëm praninë e saj ushtarake në krahun lindor, nga frika se ushtria ruse mund të sulmojë vende të tjera europiane.

Duke u deklaruar i gatshëm të përdorë armët bërthamore, Putini sinjalizon mbi të gjitha synimin e tij për të vazhduar luftën kundër Ukrainës, pavarësisht mbështetjes që asaj i japin shtetet europiane. Për t’i dekurajuar, ai kërkon me çdo kusht të ngulitë idenë se, në fund, do të jetë ai fituesi i konfliktit që vetë e nisi, pavarësisht humbjeve të ushtrisë së tij dhe dëmeve shkatërrimtare të shkaktuara ekonomisë së tij. Në këtë kuptim, Putini ilustron në mënyrë të përkryer atë që shkruante në shekullin XVIII qytetari më i famshëm i Königsbergut, filozofi i Iluminizmit Immanuel Kant: „Për qenien njerëzore, paqja nuk është e natyrshme; lufta është“./L’Express.fr