Ballina Bota Kriza franceze: Skenari që po e tmerron Evropën

Kriza franceze: Skenari që po e tmerron Evropën

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Luc de Barochez

Bashkimi Evropian mendonte se rreziku më i madh për kohezionin dhe prosperitetin e tij vinte nga Lindja. Tani, me ankth, po zbulon se kërcënimi kryesor mund të vijë nga një prej vendeve të tij themeluese, Franca. Pafuqia e shtetit tejet të centralizuar francez po i hap rrugën një skenari të errët, në të cilin një krizë e përmasave të mëdha politike dhe financiare mund të tronditë stabilitetin e kontinentit.

Dhuna urbane e 17 dhe 18 tetorit i ka përforcuar dyshimet e partnerëve të Parisit për aftësinë e Francës për të vënë nën kontroll borxhin publik, i cili ka arritur në 119% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Do të duhej një optimizëm i tepruar për të besuar se masat e nevojshme mund të ndërmerren në një atmosferë kryengritjeje, me një president në fund të mandatit, një qeveri pa shumicë në Asamblenë Kombëtare dhe një ekonomi të gjunjëzuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia franceze të rritet me vetëm 0,4% këtë vit dhe 0,7% vitin e ardhshëm.

Në një kontekst të rritjes së vrullshme të normave të interesit në mbarë botën, zotëruesit e obligacioneve shtetërore franceze, më shumë se gjysma e të cilëve janë rezidentë jashtë vendit, po shqetësohen për një Francë që po bëhet gjithnjë e më e paqeverisur dhe ku shpenzimet sociale tashmë kanë arritur nivele rekord. Si pasojë, po shfaqet mundësia e një krize të re në eurozonë gjatë muajve të ardhshëm, pas asaj të fillimit të viteve 2010. Dy vendet e tjera që mund të preken më pas, për shkak të financave të tyre të brishta publike, janë të njohura: Italia, ku gjatë kësaj fundjave pati gjithashtu trazira, dhe Belgjika.

Mundësia që në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze, pranverën e ardhshme, të përballen dy euroskeptikë që mbajnë qëndrime tolerante ndaj Vladimir Putinit, e thellon më tej mosbesimin. Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon premtojnë, secili nga ana e vet, të vënë në pikëpyetje kontributin financiar të Francës në buxhetin e përbashkët evropian dhe ndihmën për Ukrainën. Kjo do të minonte njëkohësisht funksionimin e Bashkimit Evropian dhe pozicionimin e tij gjeopolitik përballë armiqësisë ruse. Dy udhëheqësit populistë u premtojnë votuesve të tyre ndjekjen e një rruge kombëtare, të çliruar nga rregullat e përbashkëta, duke rrezikuar kështu dy arritjet më të mëdha të integrimit evropian: tregun e përbashkët dhe euron. Ankthi shtohet nga vendimi i kandidates së Tubimit Kombëtar, e cila kryeson sondazhet, për të imituar tonin dhe qëndrimet e Donald Trumpit, në vend që të ndjekë rrugën proevropiane dhe mbështetëse ndaj Ukrainës që ka zgjedhur Giorgia Meloni në Itali.

Bashkimi Evropian ka arritur, jo pa vështirësi, t’i kapërcejë gjatë viteve të fundit problemet e shkaktuara nga qeveritë nacionaliste armiqësore ndaj tij. Në pranverë, hungarezi Viktor Orbán u largua nga skena politike, pasi votuesit e tij e rrëzuan nga pushteti. Por Franca nuk është Hungaria. Roli i saj historik, rëndësia politike dhe pesha ekonomike e bëjnë të pamundur margjinalizimin e saj. Për më tepër, kriza franceze po ndodh në një moment dramatik për Evropën. Ukraina, e gjendur në vështirësi nën bombardimet ruse, po kërkon ndihmë; lufta në Gjirin Persik po i shtrenjton çmimet e energjisë; cunami tregtar kinez po shkatërron ekonominë evropiane; mbrojtësi i madh amerikan është shndërruar në një grabitqar; ndërsa vendi më i madh i Bashkimit Evropian, Gjermania, po përballet me probleme politike – fuqizimin e nacionalizmit dhe pafuqinë e qeverisë – që, megjithëse janë ende në fazat fillestare, ngjajnë shumë me ato që po e rëndojnë Francën.

Kriza nxjerr në pah një aspekt të shpërfillur të politikës franceze: largimi i Shteteve të Bashkuara nga Kontinenti i Vjetër, në vend që t’u japë shteteve evropiane më shumë liri veprimi, përkundrazi i detyron ato të bashkojnë forcat, nëse duan të vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e tyre nga synimet keqdashëse të fuqive jomiqësore. Sovraniteti i secilit shtet evropian varet nga aftësia kolektive për të ushtruar ndikim së bashku dhe jo nga veprimi i njëanshëm, i cili është bërë iluzor në një botë ku ligji i xhunglës po kthehet sërish në normë. Trazirat që po kalon Franca pasqyrojnë gjithashtu një krizë të zgjidhjeve të rreme populiste. Kjo krizë është evropiane. Pas nëntë vjetësh të qeverisjes së Macronit, Franca është shndërruar në epiqendrën e saj./L’Express.fr