Ballina Aktualitet Opinione Orienti kundër Kishës Katolike

Orienti kundër Kishës Katolike

Pas pavarësisë nga Turqia (1912), Europa zbatoi projektin e një qeverisje nën mbretërimin e Vilhelm Vidit, një projekt që do t’i mundësonte Shqipërisë rrugën më të shkurtër të afrimit të saj në Europë, në familjen prej së cilës qe shkëputur dhunshëm 500 vite më parë, shkruan Gjet Ndoja në Koha Jonë.

Ndërsa “shqiptarët” reaguan nëpërmjet një kryengritjes të drejtuar nga Haxhi Qamili duke vrarë e prerë, duke djegur shtëpi, kisha e madje dhe flamurin “Kuq e Zi”. Pikërisht në këtë kohë shkatërrohet e digjet edhe Kisha e Dilbnishtit (Laç), kryeqendër peshkopale. Përpjekjet e shqiptarëve etnikë për të shtypur kryengritjen me frymëzim islamik-sulltanist dështoj, pasi ata mesa duket ishin në minorancë.

Ndërsa shkatërrimi më i madh i kishave ndodhi pas Luftës së Dytë kur në Shqipëri u instalua diktatura sllavo –komuniste. Kulmin ky proces barbar e arriti në kuadrin e “Reformës Ateiste” që presupozonte “Luftën kundër fesë”, shkatërrimin e të gjithë objekteve të kultit etj. Në të vërtetë brenda kësaj lufte, Qeveria Komuniste e Tiranës e ndikuar nga fryma sllave, goditi me prioritet Kishën Katolike dhe martirizoj klerikët e saj të ndritur, duke goditur bashkë me to themelin dhe frymën më autentike të racës tonë. Është kjo koha kur barbaria shkatërroi pa mëshirë objekte me histori të madhe njëkohësisht:

Shembja e Abacisë së Oroshit, përbënte një akt që fshinte historinë e institucionit më të rëndësishëm të luftës për liri të shqiptarëve për liri kundër trupave qeveritare turke gjatë shek. XIX (Kryengritjet në Mirditë në V. 1862 dhe 1877) të drejtuara nga Bib Doda dhe Prenk B Doda, por të programuara nga Abatët Gaspër Krasniqi e Preng Doci.

Shkatërrimi i Kishës së Shën Mërisë Vaut të Dejës. Këtu u pagëzua martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën. Shkatërrim u krye me eksploziv me urdhër të terroristit Mehmet Shehu. Ishte ndërtuar që në vitin 1290.

Shkatërrimi i dy kishave pranë sheshit Skendërbej në Tiranë, mjëra katolike në themelet e së cilës u ndërtua “Hotel Peza”, tjetra kishë ortodokse.

Shkatërrimi me top dhe me eksploziv i Kishës së Shën Ndojit në Laç. Ishte një nga aktet më barbare gjatë këtij procesi të pashembullt, qëllimi i së cilit ishte shuarja e besimit të mijëra pelegrinëve shqiptarë pa dallim që e adhuronin këtë kishë.

Këto janë vetëm ilustrime të një procesi barbar që solli shembjen e qindra kishave, vrasjen dhe burgosjen e qindra klerikëve katolikë, që në fakt synonte shkatërrimin përfundimtar të palcës dhe themeleve Iliro –Arbnore të Kombit Shqiptar, substancë kjo që përcaktonte qartësisht identitetin tonë Europian.

Në fakt kjo që ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit të XX ishte vijimësi e një procesi të nisur të paktën që në mesjetë me serbo-sllavët dhe më vonë proceset katastrofike te shkaktuara nga Turqit e Azisë.

2-Në fillim sllavo-serbët

Duhet të nënvizojmë se procesi i ndërtimit të kishave katolike nga shek. XI e deri në shek. XV (do ta shohim më poshtë) hasi në rezistencën e kishës ortodokse sllave e cila suportohej dhe përdorej prej Mbretërisë Serbe me qëllim asimilimin e shqiptarëve. Kjo veprimtari u realizua kryesisht në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërsa Patriarkana e Pejës u përdor me shumë efikasitet nga Serbia në dëm të Kishës Katolike. Njihen rastet e përshtatjes dhe të ndërtimit të të kishave ortodokse në vend të kishave katolike, ku me tipiket janë: Kisha e Deçanit, ajo e ndërtuar në Prizren, Prishtinë, Mal të Zi etj.

Turqit shkatërrojnë kishën katolike për të zhbërë frymën europiane të shqiptarëve

Shkatërrimi dhe djegia masive e kishave katolike, si dhe konvertimi i popullsisë nga të krishterë në myslimanë (herë me forcë e herë duke i shtrënguar ekonomikisht), ka vazhduar nga shek. XV deri në fillim të shek. XX.

Ndërtimi i xhamive duke shkatërruar kishat

Në krye të herës xhamitë e para ndërtohen në qytetet e mëdha të pushtuara si në Berat, Gjirokastër, Elbasan, Durrës, Krujë, Shkodër, Prizren, Gjakovë, Shkup etj. Ka mjaft raste kur pushtuesit, xhamitë e para i ndërtuan duke adoptuar kishat kryesore të këtyre qyteteve. Kështu ndodhi me kishën e Shën Stefanit në Kalanë e Shkodrës e cila u përshtat në vend të saj xhamia (1479); kisha e Shën Kollit në varosh (Lezhë) në vitin 1478 u përshtat si xhami; Bazilika e famshme në Durrës në vitin 1501, u përshtat dhe u bë xhamia e Fatihut; po kështu ndodhi edhe në Prizren, Shkup e vende të tjera.

Përveç tyre u ndërtuan dhe xhami të tjera si: Xhamia Mbret në Kalanë e Elbasanit; Në kalanë e Beratit u ndërtuan Xhamia e Kuqe (me tulla) dhe Xhamia e Bardhë; Xhamia e Mirahorit në Korçë (1496); Xhamia e Muradies në Vlorë; xhamia e Pazarit në Gjirokastër; xhamia në Dibër; xhamia e plumbit në Shkodër (1773); xhamia e Et’hem Beut në Tiranë (1794); xhamia e Peqinit; xhamia e Kavajës; xhami të tjera në Shkup; Manastir;Prizren;Ferizaj; Pejë; Gilan; Deqan; Prishtinë e Mitrovicë; Ulqin e Podgoricë etj. Gjatë shekujve XVII-XIX ndërtimi I xhamive u bë edhe në qendra të katundeve të islamizuara.

Edhe teqetë njohën fillimet e tyre që në shekullin XVI nga misionarë të ardhur nga lindja. Deri në fund të shekullit të XIX, në kushtet e okupimit osman pjesa më e madhe popullsisë dhe e territoreve shqiptare morën pamjen e vendeve me civilizim aziatik-Oriental.

Nga ky përshkrim i shkatërrimit të kishës Katolike, lindin disa pyetje:

Pse Kisha Katolike nuk është thjeshtë një objekt kulti sit ë tjerët, por është një institucion bartës i qenësishëm i historisë tonë?

Përse të gjithë ata pushtues që e shkatërruan Kishën Katolike vijnë nga Lindja dhe jo nga Europa?

Kush është historia e depërtimit të krishtërimit në Europë? Cili ishte roli i Ilirisë në këtë proces?

Përgjigja më e mirë e këtyre pyetjeve gjendet në përshkrimin e shkurtër të historisë së ardhjes së krishterimit dhe e ndërtimit të kishave në vendin tonë.

II-Ilirët dhe Iliria me rol thelbësor në përhapjen dhe vendosjen e krishtërimit në Europë.

1-Apostulli Pal erdhi në Iliri para se të shkonte e të bëhej martir në Romë.

Ilirët njihen si një nga popujt e parë ku u përhap krishtërimi. Predikuesi i parë dhe më i rëndësishëm i misionit të krishterë ishte apostulli Pal, i cili për të mbërritur në Romë si rrugën më të volitshme ndoqi itinerarin nëpër Greqi, Iliri e pastaj në Romë. Vendi i parë ku Pali me apostujt e tij u vendosën, ishte Durrësi, ku kemi dhe komunitetin e parë të krishterë në Iliri. Më pas kemi qendra të tjera ku u predikua Ungjilli ishte Lezha dhe Shkodra. Me siguri më vonë u krijuan edhe në vende të tjera ilire komunitete të krishtera si: në Apoloni, Bulis, Antipatrea, Sardë e Danjë, Ulqin , Doklea, Kotorr e Raguzë. Mendohet se ky udhëtim e qëndrim apostolik ndodhi para vitit 57 pas Kr., kur Pali shkroj dhe një letër romakëve.

Në Bibël përmendet vetë apostulli Pal në letrën drejtuar romakëve15:19-20 , ku ndër të tjera lexojmë: “…me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të frymës së Zotit; kështu prej Jeruzalemit, përqark dhe deri në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit, duke u përpjekur të ungjillzoj atje ku nuk ishte i njohur emir i krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit”.

2-Kostandini-Perandori Romak me gjak ilir ndërpreu persekutimet tek të krishterët dhe dekretoi fenë e tyre si të ligjshme.

Njihet si themeluesi i Kostandinapolit në Lindje, kryeqendrës së mëvonshme të Perandorisë Bizantine. Përveçse ishte një nga Perandorët më të famshëm të Romës, ai hyri në histori si Perandori që i dha fund persekutimit të të krishterëve dhe dekretoi fenë e tyre si fe të ligjshme.

Lindi në Nish (Iliri) në vitin 274 pas. Kr. Ishte i biri i Kostanc Klorit , një komandant i thjeshtë i legjoneve romake, i cili më vonë në kohën e Dioklecianit (Perandorit tjetër me origjinë ilire nga Doklea në afërsi të Podgoricës), qe njëri prej çezarëve që mbretëronte në Gali, Britani e në Spanjë. Më 25 korrik 306 Kostanci (i Ati i Kostandinit) vdes në York, ndërkohë që i biri- Kostandini shpallet “August” & Perandor me mbështetjen e legjionarëve romakë në Britani, pjesa më e madhe e të cilëve ishin ilirë, gjermanë dhe keltë.. Ndërkohë Diokleciani, kishte abdikuar nga froni.

Ai arriti të shpallej Perandor vetëm në vitin 324. Në vitin 312 Maksimiani dhe Galeri vdesin, Kostandini ripushtoi Italinë duke lidhur aleancë me Licinin duke i shpall luftë Masencit.

“Sipas legjendës së Saxa Rubra-s, Kostandinit i shfaqet në ëndërr Jezusi, i cili i kërkon të shkruajë dy germat e para të emrit të tij në greqisht XP, mbi shqytet e legjionarëve. Thuhet se në ditën që pasoi Kostandini pa diellin që shfaqej në formën e një kryqi dhe në qiell pa këto fjalë: “In hoc signo vinces”= me këtë shenjë do të fitosh. Kjo ndodhi profetike shënoi fillimin e dilemës së tij për tu konvertuar në të krishterë.

Ditën e nesërme Konstandini e dërrmoi Masencin në rrethinat e Romës dhe Senati e njohu ligjërisht si fitimtar duke I dhënë titullin “August”. Në këto rrethana Kostandini ynë hipi në fronin e Perandorisë Romake të Perëndimit krahas Licinit (aleatit të tij), i cili dhe ai qe proklamuar “August” dhe Perandor i Lindjes.

-Në vitin 313 Kostandini i Madh nënshkroi “Ediktin e Milanos”, nëpërmjet të cilit ai i dha fund persekutimeve që i qenë bërë deri atëherë të krishterëve të Perandorisë Romake. Në vitin 324 bëhet Perandor i vetëm i Perëndimit dhe i Lindjes.

Si konkluzion mund të themi se Akti i konvertimit të Kostandinit nga pagan i krishterë, përbën një akt historik, jo vetëm pse shembulli i tij u ndoq nga një numër I madh nënshtetasish të Perandorisë , por edhe pse me këtë rast , mbas tre shekujsh përndjekjeje të shtetit romak, krishtërimi nisi të marrë frymë dhe të përhapej lirisht. Në këtë kontekst historik nuk gabojmë kur themi se ndikimi ilir qe përcaktues në përhapjen e krishtërimit në Europë, ashtu sikundër dimë se Papa dhe krishtërimi do të ishte faktor i rritjes dhe i unitetit të Europës së ardhshme.

3- Kishat paleokristiane. Përhapja e krishtërimit në Iliri

Iliria qe një nga vendet e para ku nisën të ndërtohen objektet e këtij kulti. Një ndikim pozitiv edhe në aspektin e ndërtimit të kishave të hershme në Iliri pati Perandori me origjinë Ilire Kostandini i Madh. Ky proces nisi padyshim në dy qendra, në Durrës dhe në Dalamaci (Salonë). Pastaj krijohen shumë shpejt kushtet për ndërtimin e kishave përveç Dyrrahut (qendër primare) edhe në Lissus, Shkodër, Doklea, Skampa, Amantia, Apolonia, Bylis, Aulona, Ulqin, Antibar (Tivar) e deri në Salona e Split. Më vonë hapsira nga mes Doklea, Shkodër e Lissus u quajt Preval dhe organizimi kishtar njohu një zhvillim mjaft intensive që në kohën e Kostandinit.

Ndikimi i Kishës

Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë Bizanti në Lindje dhe Perandoria Romake e Perëndimit (395), nuk u reflektua me ndonjë ndryshim të madh në arkitekturën dhe në ritet kristiane të Kishës. Dhe vartësia nga Papa i Romës në fillim ishte i të gjithë kishave, pavarësisht nga ndarja e re politike. Në lidhje me këtë qështje Milan Shuflaj në “Situata e kishës në Shqipërinë paraturke nënvizon: “…Ipeshkëvinjtë e Shqipërisë kanë kanë një pjesmarrje të shpeshtë dhe aktive në të gjithë cështjet e rëndësishme të Kishës Romane. Në Preval (Afërsisht në Shqipërinë e sotme dhe Mal të Zi) në vitin 549, ashtu si në Dalmaci, përmendet një “patrinomium” papnor… Vetëm rreth vitit 732 nga Perandori i Bizantit Leo Izaurasi, Kishës Romane ju morën Epiri i Ri, Prevali dhe Italia e Poshtme, të cilat u vunë nën pushtetin e Patriarkut të Kostandinopojës”. Më vonë Durrësi qe kufiri mes Kishës Romane Katolike në njëfarë armiqësie me Kishën Ortodokse Bizantine.

Ndërtimet e hershme të kultit kristian

Në fillim të shek IV këto ndërtime, morën për modele dy ndër tipet më të përdorshme të arkitekturës romake: Bazilikat dhe ndërtesat me planimetri qendrore.

Bazilika në Tepe (shek. IV) të Elbasanit; Kisha e Tiranës, (shek VI (8:11.5m e shtruar me mozaikë); Bazilika e Akropulit në Butrint (shek. IV); Bazilika e Amanties; Bazilika e Butrintit (shek VI); Bazilika e ndërtuar në Akropolin e Finiqit (shek. VI); Dy kishat në Paleokastër (Gjinokastër) shek VI-VII; Kisha trekëndëshe e Linit -Pogradec (shek V); Kisha e Ohrit (shek. V); Kisha në Jermë Gjinokastër (shek. V-VI); Baptisteri i Butrintit (shek.VI); Kishat dhe bazilikat në Prush të Tiranës; në Zgërdhesh të Krujës, Suc (Mat), në Perlat të Mirditës, deri në Dalmaci në veri.

–Vazhdimi i procesit në shekujt VII-XIII ka vazhduar pandërprerë si : Bazilika e Butrintit e sh. IX, Bazilika e shën Mërisë në Ballsh (Viti 865), Kapela e Amfiteatrit të Durrësit, shek X, të profet Ilias në Bual të Përmetit (shek XI), Shën Jovani në Boboshticë (shek XIII, Kisha e Shpërfytyrimit në Herbel të Peshkëpisë- Gjinokastër (shek. VII), kisha e shën Premtes në Sop të Fierit, e shën Kollit në Armen të Vlorës (Shek XI), shën Kollit Perondi të Kucovës (Shek XI), Bazilika e Durrësit shek XI, bazilika në Ciflik të Sarandës shek. XIII, kisha e Marmiroit e Orikumit, kisha e shën Mërisë në Kosinë të Përmetit, shek XII, në Kostur, shën Mërisë në Labovë të Kryqit shek XII, dy kisha në Kalanë e Beratit, kisha e Rizonit në Mborje të Korcës (1389), e shën Mëhillit në Berat, shek XIV, kisha e shën Mërisë në Dhërmih të Himarës (shek.XIII), kisha e shën Kollit në Kurjan të Fierit (shek. XIII), manastiri i shën Kollit në Mesopotam të sarandës (she. XIII), shën Mërisë në Pojan të Fierit , shek. XIII.

4-Ndërtimi i kishave në shekujt XI-XV, mbijetesa e kishës Romane Katolike.

“Njohja me munomentet e kësaj periudhe në një pjesë të Shqipërisë Mesme dhe të Veriut paraqet vështirësi, ndër të cilat më kryesorja është shkalla e madhe e shkatërrimeve të bëra nga pushtuesit osmanë- tregon Emin Riza në “Histori e arkitekturës shqiptare” fq 283.

Gjithsesi kjo dëshmohet në rrënojat, në hartat e vjetra (të Koronelit e Kantelit v. 1688 dhe 1689) dhe në harta të tjera e dokumente arkivore.

Në mënyrë të përmbledhur mund të përmendim:

Kisha e Rubikut (1166). U ndërtua mbi një shkëmb të thepisur në Rubik, në bregun e lumit Fan. Ruan piktura që sipas një mbishkrimi datojnë të vitit 1272.

Kisha e Shën Sergjit dhe Bakut në Shirgj të Shkodrës. Rrënojat tregojnë për një arkitekturë e objekt madhështor. Mbishkrimi i parë jep vitin e ndërtimit të kishës në vitin 1290.

Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Ndërtuar në vitin 1290 në këmbë të kodrës së kështjellës së Danjës. e ndërtuar sipas një stili arkitekturor roman.

Kisha e Shurdhahut. U ndërtua në shek XI duke qenë pjesë e qytetit Shurdhahu që ndryshe njihet si Sarda Mesjetare , jo shumë larg nga Danja.

Kisha e Shën Lleshdrit (shën Aleksander). U ndërtua në malin e Shenjtë në Orosh të Mirditës në shek XIII.

Kisha e shën Mërisë në Shëmri të Krujës (shek. XIII).

Kisha e shën Ndoit në Kepin e Rodonit. Është rrënojë pranë kalasë së Gjergj Kastriotit. Është e shek XIV-XV.

Kisha e Linzës. E ndërtuar në lindje të Tiranës (shek XIV).

Përvec sa përmendëm gjatë kësaj periudhe (shek. XII-XV) sipas rrënojave, burimeve e toponimeve të shumta, u ndërtuan shumë kisha me mbështetjen edhe të dinastëve të trojeve Arbnore si: në Tiranë kisha e shën Palit (Shupal); Kisha e Shën Gjergjit (Shëngjergj), Shën Mërisë (Shmri), në Petrelë, Prezë, etj; kisha e shën Martinit e disa të tjera (Martanesh); në Mat, kisha e shën Lleshdrit në Dukagjin; kishat në Kthellë e Selitë si ajo e Lacit, e shën Mërisë, e shën Gjonit; në Mirditë kisha e shën Mërisë në Gëziq, ajo e Shën Palit , kisha në Pllanë, kishat në Zadrimë, Dukagjin, Pukë, Nikaj-Mertur, Malësinë e Gjakovës, në Has, Pejë e Deçan; në Prizren etj etj.

5-Kisha Katolike- institucioni përcaktues i mbijetesës së qytetërimit Arbnor-Europian

Në vitin 1555, kleriku Dom Gjon Buzuku përktheu Mesharin (Ungjillin) në gjuhën shqipe. Rrethana e e përkthimit përputhet me pasigurinë që kishin klerikët shqiptarë ndaj klerikëve venedikas, pasi këta të fundit për të ruajtur interesat e Venedikut ndaj osmanëve bashkëpunonin fshehurazi me turqit në dëm të interesave arbnore. Që nga ajo kohë “fjala e zotit” dhe mesha në kishat katolike predikohej vetëm në shqip. Përvec kësaj edhe klerikët filluan të arsimohen e edukohen në gjuhën shqipe në shkollat që filluan të funksiononin pranë kishave kryesore.

Në kohën e “Okupimit të rreptë” nga Turqit, për rreth 70 vjet genocid e zhdukje masive (1479-1550), u zhduk Fisnikëria Arbnore ku pjesa më e madhe emigroinë Napoli, Venedik e Dalmaci, pjesa tjetër u vra dhe u burgos. Në kushtet e reja misionin dhe rolin e asaj fisnikërie e luajtën për disa shekuj pikërish kleri katolik. Kështu vepruan duke e udhëhequr popullin drejt lirisë Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Fran Bardhi, Papa Klementi XI, Gjon Kazazi, Gaspër Krasniqi, Preng Doci, Shtjefën Gjecovi, Lazër Mjeda, Nikoll Kacorri, Gjergj Fishta etj etj-etërit e vërtetë të etnisë dhe të nacionalitetit tonë europian. Në rrethanat e pushtimit turk Kisha Katolike nuk qe thjeshtë vendi i shenjtë, por për shekuj me radhë qe vendi ku u ruajt dhe u lëvrua gjuha dhe letërsia shqipe, u ruajt kultura, zakoni e mënyra tradicionale e jetesës, u bënë kuvende historike dhe u organizua rezistenca e armatosur kundër pushtuesve barbarë osmanë. Kjo është arsyeja që Kisha ka vlerat e institusionit më të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve dhe në garantimin e identitetit europian të nacionalitetit tonë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews