Ballina Aktualitet Kultura Debati/ Ramadan Sokoli: Origjina e lahutës shqiptare daton në vitin 1335

Debati/ Ramadan Sokoli: Origjina e lahutës shqiptare daton në vitin 1335

“Dëshmia më e hershme që njihet në Ballkan shihet konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335, ku paraqitet një grup burrash që vallzojnë sipas tingujve të laurisë, gloriskës, lodërtisë dhe tullumbacit”.

Nga Dhurata Hamzai

Nuk ka kaluar as një muaj nga lajmi i shumëpërfolur në rrethet akademike e më gjerë për futjen lahutës serbe në UNESCO. Ndërkohë që dosja për futjen e lahutës shqiptare është përgatitur që dy vjet më parë, kur mori dhe çmimin Europa Nostra, futja e saj në UNESCO është pezulluar. Tashmë debatet janë ndezur edhe më të forta, pasi u mësua se çmimi Europa Nostra që mori lahuta shqiptare nuk ishte as më shumë e as më pak, por vetëm një hap pranë UNESCO-s.

Pika më e nxehtë e debatit është se “përse lahuta serbe duhej të merrte përparësi ndër vendet e Ballkanit që e trashëgojnë si Bosnja, Shqipëria, Kosova e Mali i Zi. Madje tre nga këto vende Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi këndojnë në shqipen e vjetër eposin shqiptar me lahutë. Për këtë e shumë arsye të tjera jo vetëm studiuesit shqiptarë, por edhe albanologët e huaj lahutën shqiptare e përcaktojnë si më arkaike në këto treva.

Etnomuzikologu i njohur Ramadan Sokoli që sot nuk jeton më (Shkodër, 14 qershor 1920 – Tiranë, 12 mars 2008) ka shkruar në librin “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991 ndër të tjera se “Dëshmia më e hershme që kemi rreth përdorimit të veglave muzikore me hark nëpër vendbanimet e shqiptarëve ndodhet në manastirin e Deçanit,konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335,ku paraqitet një grup burrash që vallëzojnë sipas tingujve të laurisë, gloriskës, lodërtisë dhe tullumbacit. Kjo është dëshmia më e hershme që njihet në Ballkan.”, shkruan Ramadan Sokoli. Ramadan Sokoli në studimin e tij shkruan se lahuta është trashëguar edhe tek arbëreshët e Italisë dhe përdoret gjithashtu nga arbëreshët (arvanitasit) e Greqisë.

Ja çfarë ka shkruar në studimin e tij Ramadan Sokoli

“Në Shqipërinë Veriore lahutë quhet një vegël muzikore me një kordë,prej qimesh kali,së cilës i bihet me hark; ndërsa në Shqipërinë jugore llahutë quhet një vegël tjetër e gjinisë kordofone,e pajisur me katër palë tela,të cilëve u bihet me pendëz. Pra,pavarësisht nga emri i përbashkët,kemi të bëjmë me dy vegla të ndryshme si për ndërtimin e tyre,ashtu edhe për mënyrën e përdorimit, veçoritë e tingëllimit,prejardhjen ose historikun e tyre etj. Pa u zgjatur rreth burimit dhe ndryshimeve që ka pësuar ky emer gjatë kalimit të kohës,në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht rreth lahutës së Shqipërisë veriore.

Malësorët tanë e përdorin me ëndje këtë vegël dhe e dëgjojnë me vëmendje kur shoqëron këngët e trimërisë nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare. Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen këngët e kreshnikëve,domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin. Nepërmjet shtegëtimeve blegtorale të malsorëve tanë kjo vegël ka zbritur deri në jugun e Lezhës. Kurse nepër krahinën e Matit e të Dibrës nga njëra anë deri në rrethin e Krujës e nepër malësitë e Tiranës nga ana tjetër, përdoret një variant i lahutës (“laurija”) me dy,tre ose katër tela,të cilët nxjerrin tinguj nëpërmjet fërkimit me hark. Një vegël e tillë përdoret gjithashtu nga arbëreshët e Greqisë. Përhapja gjeografike e këtyre dy veglave nuk është e kufizuar vetëm nepër krahinat e Shqipërisë Veriore dhe verilindore.

Vegla muzikore pak a shumë si lauria dhe lahuta jonë ( e cila përfaqëson tipin më të hershëm të veglave kordofone me hark) përdoren nga disa popuj të afërt e të largët. Të tilla janë psh “gusla” e sllavëve jugorë që banojnë në vargmalet Dinarike,apo “ravanastroni” i Indisë,gjithashtu “kobizi” i Kazakistanit,”hixhaku” i Uzbekistanit dhe i Armenisë,”komisi” i Kirkizisë,”Uhr-Sieni” i Kinës,”rebabi” i Arabisë,”ceravali” i Etiopisë etj. Po kështu e afërt me laurinë tonë është “lira” e disa krahinave të Greqisë,apo “lirika” e Bullgarisë e Maqedonisë. Gjithë këto vegla kanë pak a shumë të njëjtin ndërtim dhe të njëjtën mënyrë përdorimi. Por kjo nuk do të thotë se ato kanë gjithashtu të njejtat shprehi muzikore. Padyshim midis këtyre veglave ka lidhje origjine ose “farefisnie”. Rreth prejardhjes së tyre studiuesit kanë shprehur mendime të ndryshme.

Disa thonë se ideja për nxjerrjen e tingujve nëpërmjet fërkimit të kordave me anë të harkut paska lindur në kohën e lashtë nga imitimi i sharrës ose nga vetë harku i shigjetës. Kjo është vetëm një hamendje. Historikisht dihet se kultura e vjetër egjiptiane,asiro-babiloneze,greko-romake etj. nuk ka pasur vegla muzikore me hark. Ndërkohë studimet muzikologjike më të përparuara e kanë flakur tezën antihistorike të prejardhjes së veglave kordofone me hark nga Skandinavia apo nga India dhe kanë provuar me argumente se djepi i tyre është Lindja e Mesme,kryesisht Persia. Së andejmi këto vegla janë përhapur gjatë shekujve nëpër shumë vise të Azisë,Evropës dhe Afrikës.

Me sa duket shtegëtimi i tyre për në Evropë ka filluar pas shekujve VIII – IX,nepërmjet Bizantit, nga njëra anë dhe,nga ana tjetër,nëpërmjet dyndjes së arabëve në Spanjë. Hë për hë është ende shumë e vështirë të përcaktohet koha e depërtimit të këtyre veglave në vendin tonë. Dëshmia më e hershme që kemi rreth përdorimit të veglave muzikore me hark nëpër vendbanimet e shqiptarëve ndodhet në manastirin e Deçanit, konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335,ku paraqitet një grup burrash që vallëzojnë sipas tingujve të laurisë,gloriskës,lodërtisë dhe tullumbacit. Kjo është dëshmia më e hershme që njihet në Ballkan.

Meriton të vihet në dukje roli i rëndësishëm etik dhe edukativ që kanë luajtur lahutarët në jetën e shoqërisë sonë,duke ruajtur,përpunuar dhe përçuar brez pas brezi repertorin e tyre. Gjatë robërisë shumëshekullore këngët e rapsodëve që lartësonin virtytet, veprimtarinë dhe shpirtin liridashës të trimave,ngjallnin tek dëgjuesit, dëshirën për të ndjekur shembullin e më të mirëve.”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews