Ballina Kultura Cila është poezia që ka shkruar Andi Bejtja për të cilën Rama...

Cila është poezia që ka shkruar Andi Bejtja për të cilën Rama tha se është 1 nga 10 më të bukura të shqipes?

Në emisionin “Zonë e Lirë”, kryeministri Edi Rama u pyet nga moderatori Arian Çani për të përcaktuar një sërë gazetarësh dhe analistësh të medies nëse janë ose jo “Kadri”.

Të parin në listë Çani shfaqi portretin e Andi Bejtes.

Ndërkohë që Çani po priste se si e karakterizonte Rama gazetarin Andi Bejtja, përgjigjja e Ramës ishte: “Andi Bejtja ka shkruar 1 nga 10 poezitë më të bukura të shqipes.

S’mund të jetë kurrë kadri”. Po cila është kjo poezi të cilën Rama e vuri në panteonin e dhjetë më të mirave?

Po i ofrojmë lexuesit ta shijojë vetë poezinë brilante me titullin “Atdhedashuri”.

Tetova News në YouTube:

Atdhedashuri

Në këtë vend ku dembelizmi është virtyt

Ku ka fusha të gjera me vese

Dhe gënjeshtër me këmbë të gjatë

Unë e kam lidhur historinë pas një gomari veshkurtër që mund të jem unë ose vetë heroi ynë Skënderbe

Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile, po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë

Po unë s’mërzitem

As ofendohem,

Europës nuk i mbaj mëri.

Vazhdoj të eci nëpër tym si një Kostandin

Që ngrihet nga varri dhe kujtohet se motër s’ka pasur kurrë;

Duke mallkuar malet e larta krenarë

Që ia marrin frymën detit, i bëhen ombrellë…

Mos kërko nga unë të jem as Rozafë, as Skënderbe, as Kostandin.

E shumta që mund të kërkoni nga unë është të jem Ismail Qemal,

Të ngre flamurin kombëtar në xhep të pantollave bluxhinse

Për të shpallur në paqe e pa bujë

Pavarësinë e Mendjes Time…