Ballina Argëtim Kuriozitete Nga Shkodra në Arosa: Historia e dy arinjve «shqiptarë» që gjetën qetësinë...

Nga Shkodra në Arosa: Historia e dy arinjve «shqiptarë» që gjetën qetësinë në parajsën zvicerane

Një organizatë për mbrojtjen e kafshëve do të sjellë nga Shkodra në alpet zvicerane dy arinj. Në Shqipëri kafshët jetojnë në kushte të rënda.

Deri në fund të këtij muaji pritet që në Arosa, një qendër e rëndësishme turistike e Zvicrës, të arrijnë dy mysafirë nga Shkodra. Janë mysafirë të mirëseardhur dhe mund të qëndrojnë në Zvicër.

Për dallim nga refugjatët ekonomikë të Shqipërisë, të cilët s’kanë shans për azil, për arinjtë është e qartë që tani: ata kanë marrë leje paraprake dhe do të vijnë për të jetuar në Zvicër.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve të «Vier Pfoten» («Katër shputat») urgjentisht do t’i marrë në një restorant në Shkodër dy arinj, një mashkull dhe një femër. Arinjtë janë 13-vjeçarë dhe jetojnë në një kopshti të vogël zoologjik të një restoranti në Shkodër.

Ata kanë pak mundësi të lëvizin, sepse mbahen në një kafaz prej metali, i cili është vetëm 60 metra katrorë i madh. Në Shkodër këta arinj nuk kanë mundësi të gëzojnë gjumin e tyre dimëror. Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve të «Vier Pfoten» njofton në një komunikatë se shumë mysafirë dhe turistë kanë kritikuar kushtet e mbajtjes së arinjve në Shkodër.

Pas këtyre kritikave pronari i lokalit ka vendosur t’i dorëzojë arinjtë dhe të mbyllë kopshtin e tij të vogël zoologjik. Ardhjen e arinjve nga Shqipëria e ka paralajmëruar edhe shefi i turizmit në Arosa, Pascal Jenny, i cili është edhe kryetar i fondacionit për mbrojtjen e arinjve. Në Arosa ekziston një fondacion që kujdeset për arinjtë e rrezikuar. Në këtë qendër turistike zvicerane është krijuar një qendër për mbrojtjen e arinjve.

Në një hapësirë prej tre hektarësh ka vend për pesë arinj, të cilët mund të shpëtohen nga kushtet e këqija dhe të jetojnë sipas natyrës së tyre.

Banori i parë i qendrës për mbrojtjen e arinjve në Arosa është 13-vjeçari Napa, një ari cirku nga Serbia. Ai është çliruar nga kafazi i tij dhe është sjellë në Zvicër, ku mund të jetojë i lirë. Napa tashmë ka rënë në gjumin dimëror në Arosa dhe kjo ka gëzuar të gjithë mbështetësit e tij.

Rënia në gjumë dimëror e ariut është shenjë se ariu ndihet mirë. Organizatorët e sjelljes së arinjve nga Shkodra shpresojnë se Napa do të ndihet mirë me shoqërinë e re. Arinjtë «shqiptarë» nuk kanë ende emra. Napa nga Serbia peshon 350 kilogramë, ha çdo ditë 15 kilogramë fruta dhe perime dhe 3 kilogramë mish, të cilin ia sjellin mishtoret nga Arosa.

Sjellja e arinjve nga Ballkani në alpet zvicerane ka zgjuar interesimin e mediave zvicerane, të cilat raportojnë në detaje. Aktualisht për dy arinjtë «shqiptarë» po kërkohet një personalitet publik shqiptar (futbollist apo këngëtare) që do të ishte i gatshëm t’i marrë nën patronazh kafshët nga Shkodra.

Përfitimi do të ishte i dyanshëm: arinjtë «shqiptarë» do të bëheshin edhe më të njohur në Zvicër, ndërsa kumbara i tyre imazhit të tij publik do t’ia shtonte edhe këtë angazhim fisnik: sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e mbrojtjes së kafshëve.
E.R.

@tn.lajmelokale
@tetovanews