Ballina Aktualitet Opinione Viti i të panjohurave të mëdha: 7 “A” për Shqipërinë e 2021

Viti i të panjohurave të mëdha: 7 “A” për Shqipërinë e 2021

Nga Kreshnik Kuçaj Për të dytin vit më radhë, Shqipëria duket se do të futet në një vit të ri me problemet kryesore të vitit të  vjetër. Viti 2020 nisi me problemet e vitit 2019, me pasojat e tmerrshme të tërmetit të fund-nëntorit. Ndërsa viti 2021, do të nisë me problemin kryesor të vitit 2020; me pandeminë.

Por veç kësaj, janë një serë panjohurash me të cilat do të përballet Shqipëria gjatë vitit 2021, pjesa më e madhe e të cilave janë trashëgim i vitit 2020, me shpresë e nuk do të ketë ndonjë të panjohur të re, siç ndodhi në vitin 2020.

A do të marrë fund pandemia?

Padyshim që një nga pikëpyetjet më të mëdha të vitit 2021 është ecuria e pandemisë. Shifrat e fundit të infektimeve e vdekjeve në Shqipërisë  kanë krijuar pasiguri e paqartësi se si do të jetë situata gjatë vitit 2021.

Pak muaj më parë, flitej për një valë të dytë infektimi e në fakt parashikimi (në rang global) u verifikua me një rritje të fortë të infektimeve dhe humbjeve të jetëve në muajin nëntor. Përtej lajmeve shpresëdhënëse për zbulimin e vaksinës, nuk mungojnë zërat për një valë të tretë të pandemisë, tashmë në vitin 2021.

Një nga faktorët kryesorë që shkencëtarët dhe studiuesit shohin është sjellja njerëzore gjatë periudhës së festave të fundivitit.

A do t’i heqim maskat?

Gjasat janë që jo. Pavarësisht kur do të nisë procesi i vaksinimit masiv, maskat do të jenë të detyrueshme për t’u mbajtur. Vaksina është parashikuar që të bëhet me dy pjesë, me distancë disa javore nga njëra-tjetra.

Kjo do të thotë se edhe pas bërjes së vaksinës së parë, individët do të vijojnë të mbajnë maskën deri në momentin kur të krijohen antitrupat. Nga ana tjetër, procesi është kategorizuar në kategori të ndryshme të shoqërisë, duke nisur nga ata që janë më të ekspozuar si mjekët, policët etj. si dhe me ata janë më të rrezikuarit (të moshuarit).

Duke qenë se procesi do të jetë i përshkallëzuar, maskat do të hiqen në momentin kur të gjithë të kenë kryer vaksinën, çka do të thotë se viti 2021 do të jetë sërish vit i mbajtjes së maskës.

Gjithsesi, pritshmëritë janë që nësë nis procesi i vaksinimit, jeta të nisë të rikthehet në normalitet, edhe pse jo në normalitetin e mëparshëm.

A do të vaksinohemi?

Ndërsa disa vende të botës kanë nisur tashmë procesin e vaksinimit duke përgatitur planet e detajuara për mënyrën sesi do të menaxhohet procesi, edhe Shqipëria do të duhet të përballet me një proces të tillë. Sfida e parë që paraqitet është sigurimi i vaksinës.

Deri më tani Shqipëria është bërë pjesë e aleancës që synon të koordinojë procesin e të bëjë një shpërndarje të barabartë të vaksinës në të gjitha vendet e botës. Veç aleancës, pritshmëritë janë që Shqipëria të marrë donacione nga aleatë të ndryshëm, mes të cilave edhe fqinjët si Italia dhe Greqia. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet edhe mundësia e negociatave direkte me ndonjërën nga kompanitë prodhuese të vaksinës që të sigurohet sasia e nevojshme.

Sfida më e madhe mbetet sigurimi i sasisë së vaksinave që më pas i hap rrugën mobilizimit të rrjetit kombëtar të vaksinimit. Strukturat shqiptare shprehen optimiste se procesi do të menaxhohet në mënyrë profesionale për faktin se Shqipëria ka një nga rrjetet më të mira vaksinuese për faktin se ky proces kryhet periodikisht në shkallë të gjerë.

A do të vendoset rekord në zgjedhjet e prillit?

Viti 2021 është vit zgjedhor për Shqipërinë. Në fund të muajit prill Shqipëria do të zhvillojë një proces zgjedhor kyç. Partia në pushtet lufton për mandatin e tretë qeverisë ndërsa opozita për rikthim pas 8 vitesh në zyrën e kryeministrit.

Zgjedhjet janë moment kyç si për kryeministrin i cili mund të vendosë një precedent të ri në Shqipërinë pluraliste të pas ’90 duke marrë tre mandate rresht, ashtu edhe për kreun e opozitës i cili ka shansin të testohet në drejtimin e kabinetit qeveritar. Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë rezultati zgjedhor; një qeveri nga Partia Socialiste, nga Partia Demokratike apo ndonjë qeveri mikse mes dy të mëdhenjve.  Kjo do të jetë dhe një nga të panjohurat e mëdha të vitit 2021.

A do të votojnë emigrantët?

Është folur prej shumë vitesh se emigrantët do të votojnë për zgjedhjen e deputetëve në parlamentin e Shqipërisë. Në këtë drejtim janë ndërmarrë disa hapa konkretë edhe pse ende nuk mund të thuhet me siguri nëse 1.6 milionë emigrantët shqiptarë do të hedhin votën e tyre këtë vit.

Hapat e parë janë hedhur në këtë drejtim, si me regjistrimin e emigrantëve, ashtu edhe më skemën sesi mund të marrin pjesë ata në proces. Duhet pasur parasysh se vota e emigrantëve është një zhvillim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë për faktin se ndikimi i tyre në rezultatin zgjedhor mund të rezultojë përcaktues për fituesin.

A do të vijnë turistë të huaj?

Tërmeti i nëntorit të vitit 2019, e sidomos pandemia, rikthyen shumë hapa pas ritmin e Shqipërisë në rritjen progressive të turistëve që vinin nga jashtë. Turizmi është një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë, që prodhon jo vetëm injektim të valutës së huaj nga jashtë por edhe punësim.

Në kushtet e një sezoni të dështuar veror (por edhe dimëror), për sezonin e ardhshëm do të duhen të gjenden skema  novatore në mbështetje të sektorit, që nuk dihet nëse do të mund të arrinte të përballonte një goditje të dytë radhazi.

A do të rikëmbet ekonomia?

Ekonomia është padyshim një nga të panjohurat e mëdha të vitit 2021. Raportet e institucioneve ndërkombëtare janë optimiste për një nisje të rimëkëmbjes por institucionet shqiptare janë edhe më optimiste se rimëkëmbja do të jetë edhe më e shpejtë.

Injektimi në ekonomi i fondeve të Komisionit Europian, rimëkëmbja e eksporteve dhe ‘rindezja’ e motorit të ekonomisë të partnerëve tregtarë ngjall shpresat se edhe ekonomia shqiptare, e bazuar te shërbimet, do të rikthehet në ritme pozitive.

Optimizmi është element i pranuar në teoritë e ekonomisë megjithatë, por nuk duhet harruar se parashikimet bazohen në një të panjohur të madhe; në ecurinë pandemisë. Ndaj edhe mund të thuhet se një nga të panjohurat më të mëdha të vitit 2021 do të jetë ekonomia…(scan)

@tn.lajmelokale
@tetovanews