Ballina Diaspora Kaltrina nga Tetova magjistron me sukses maksimal në Zvicër, vazhdon doktoraturën në...

Kaltrina nga Tetova magjistron me sukses maksimal në Zvicër, vazhdon doktoraturën në Universitetin e njohur

Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Zvicër, Kaltrina Abdili me respekt të veçantë flet për qytetin e origjinës, Tetovën. Mirëpo edhe Tetova mund të krenohet me sukseset e saj. Kaltrina, e lindur më datë 13.07.1992, në një familje me traditë intelektuale, ka vazhduar sukseset duke arsyetuar.

“Jam krenare për prejardhjen time nga Tetova dhe jam krenare që jam mbesë e Shkupit, prej ku është mami im”, thotë Kaltrina në deklaratën e saj për gazetën Lajm.

Ajo është modeste dhe nuk dëshiron të flasë shumë për vetveten, por janë sukseset që flasin për të. Nxënëse e dalluar që në shkollë fillore dhe të mesme, Kaltrina me sukses maksimal ka mbaruar edhe studimet. Nuk është ndalur me diplomimin në fakultet, por ka vazhduar me të njëjtin sukses edhe studimet postdiplomike, duke marë titullin Master në Shkencat ekonomike, drejtimi Inovacion në biznesin ekonomik.

Kaltrina është vajzë e mjekut të njohur tetovar në Zvicër, Shemun Abdili. Për këtë arsye profesioni i babait, mjekësia, ka qenë një nga profesionet që e ka tërhequr, por jo sa ekonomia. Prandaj dashurinë për ekonominë ka vendosur ta vazhdojë edhe në studimet e doktoraturës, që i vazhdon në Universitetin e St. Gallenit, ku edhe ka magjsitruar.

Për temë të doktoraturës ka zgjedhur “Contactless Customer Experience”, një temë mjaft atraktive dhe aktuale në këto kohë të ekonomisë moderne. Kaltrina premton se do të bëjë të gjitha përpjekjet që edhe doktoraturën ta përfundojë me sukses maksimal. Nuk përjashton mundësinë që pastaj të kthehet edhe në Maqedoni për të dhënë kontributin e saj profesional në vendlindje.

“Një nga dëshirat e mia është të kthehem atje prej nga ka ardhur familja ime. Por gjithçka varet se a do të krijohen kushte të volitshme për kthimin e kuadrove të reja. Tani prioritet e kam doktoraturën”, thekson Kaltrina Abdili, një nga shumë vajzat dhe djemtë shqiptarë që me sukseset e tyre po na bëjnë krenar në Zvicër dhe në vendet tjera perëndimore.

@tn.lajmelokale
@tetovanews