Ballina Aktualitet Kultura MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS/“7 Marsi” – Dita e Mësuesit

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS/“7 Marsi” – Dita e Mësuesit

Nga Xhelal Zejneli

Zgjimi i identitetit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes ndër shqiptarët në këtë periudhë ishte i lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtarinë politike dhe botuese, por edhe me përpjekjet për shkollë në gjuhën shqipe.

Të tria sferat kulturore në të cilat ndahej Shqipëria, kishin sjellë me vete sisteme të ndryshme shkollash fillore të huaja. Shqiptarët e fesë islame mund të shkonin vetëm në medresetë në gjuhën turke, ku mësohej teologji dhe arabishtja. 

Shqiptarët e fesë katolike nuk kishin fare shkolla, para se të ngriheshin institucionet arsimore, që ishin kryesisht italiane, nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe përreth saj në mesin e shekullit XIX. Këtu bën pjesë edhe një shkollë françeskane e ngritur në vitin 1855 si dhe Kolegjia Papnore e hapur nga jezuitët më 1859. Këtyre duhet shtuar edhe Kolegji i Shën Françesko Saverit, i njohur me emrin Kolegja Saveriane, që u hap në Shkodër më 1877. Në fillim të shekullit XX ky institucion, i drejtuar nga jezuitët pati mbi 400 nxënës. 

Shqiptarët e fesë ortodokse në jug të Shqipërisë kishin mundësi të hynin në shkollat me bazë gjuhën greke.

Pra, deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mësimi në Shqipëri jepej në gjuhë të huaja, rrethanë kjo që e bëri të pamundur shkollimin e masave të popullsisë.        

Porta e Lartë i shihte arsimimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj gjithë Shqipërinë në padije dhe errësirë të thellë. Edhe ndonjë shkollë në gjuhën shqipe, që kishte mundur të hapej, ishte mbyllur menjëherë. 

Edhe kisha ortodokse greke në Shqipërinë e jugut e shihte veprimtarinë kulturore shqiptare si rrezik për monopolin e saj mbi shkollën. Madje ajo kërcënonte me shkishërim cilindo që pranonte alfabetin shqip, e madje në raste të caktuara, për të ruajtur statusin e vet, nuk iu resht as vrasjeve. 

Në këto kushte të rënda, ideologët e lëvizjes së zgjimit kombëtar të Rilindjes në fund të shekullit XIX ia kushtuan një pjesë të mirë të energjive të tyre luftës dhe përpjekjeve për shkollat në gjuhën shqipe. Vetëm nëpërmjet këtyre shkollave shqiptarët do të mund të mësonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre shqipe dhe do të kapërcenin prapambetjen e së kaluarës.

Lufta për shkolla në gjuhën shqipe ishte në të vërtetë një luftë e dyanshme, si kundër Portës së Lartë që e kishte nxjerrë shkollimin shqip jashtë ligjit, ashtu edhe kundër kishës ortodokse greke, e cila e ndiente se do të humbiste autoritetin e saj mbi grigjën shqiptare nëse lejohej shkollimi në gjuhën shqipe. Në këtë pikë Patrikana ortodokse dhe autoritet osmane në brigjet e Bosforit ishin në pajtim të plotë.

Një nga mësuesit e parë shqiptarë të periudhës së zgjimit kombëtar ishte Petro Nini Luarasi (1865-1911). Ky ishte në pararojë të lëvizjes për çeljen e shkollave shqipe. Një tjetër figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare është Papa Kristo Negovani (1875-1905), i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Më 12 shkurt 1905 u masakrua nga banditët e hierarkisë ortodokse greke, bashkë me pesë shqiptarë të tjerë, midis tyre eshë i vëllai. 

Ndër edukatorë të tjerë të shquar shqiptarë të kësaj kohe është familja Qiriazi ose Kyrias nga Manastiri. Nga kjo familje shquhen Gjerasim Qiriazi (1858-1894), vëllai i tij Gjergj Qiriazi (1868-1912), motrat e tyre Sevasti Qiriazi – Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970). 

Me ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney), Gjeraqimit iu dha mundësia të studiojë në kolegjin amerikan në Samokov të Bullgarisë. Në këtë kolegj ndoqi shkollimin edhe i vëllai Gjergji. Më 1908 Gjergji ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Naim Frashëri i dha mundësi Sevasti Qiriazi – Dakos të studionte në kolegjin amerikan me emër Robert College në Stamboll dhe të luante një roj veprues në arsimimin e femrave shqiptare. Ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Edhe Parashqevi Qiriazi, e njohur edhe me emrin Paraskevi D. Kirias studioi në Robert College në Stamboll. Mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.

Figurë e shquar e arsimit katolik në periudhën e Rilindjes qe Anton Xanoni (1862-1915). Njihej edhe me emrin Ndoc Zanoni. Në zgrip të shekullit ushtroi ndikim në zhvillimin e gegërishtes. Vjen nga një familje jezuite. Më 1883 kreu shkollimin në Valencia të Spanjës. 

Mati Logoreci (1867-1941) ishte edukator dhe botues Në Monfalkone afër Triestes bëri shkollë për mësues. Më 1 maj 1889 hapi një shkollë në Prizren, e para shkollë shqipe në Kosovë.   

Arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, nën kujdesin e Kultusprotektoratit, e drejtonte konsullata austro-hungareze. 

*   *   *

     Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman. Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri (1850-1904) dhe bilbili i gjuhës shqipe – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen, në emrin e Pandeli Sotirit (1843-1891) për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.

Pandeli Sotiri ishte veprimtar i shkollës shqipe, dëshmor i Rilindjes Kombëtare. Lindi në fshatin Selckë të Lunxhërisë (Gjirokastër). Në Normalen greke të Qestoratit pati mësues atdhetarin Koto Hoxhi (1824-1895) i cili u mësonte nxënësve fshehurazi shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri studimet e larta për mjekësi i kreu në Vjenë. Mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” (1879-1891) në Stamboll dhe u zgjodh anëtar i kryesisë s saj. Bashkë me publicistin rilindës Jani Vreto (1822-1900) ndihmoi për formimin e degëve të “Shoqërisë së Stambollit” në kolonitë shqiptare të Bukureshtit, të Egjiptit etj. Jani Vreto ishte adhurues i kulturës helene. Për këtë arsye Faik Konica (1875-1942) e quajti grekoman. Pandeli Sotiri drejtoi revistën kulturore, arsimore e letrare “Drita-Dituria” (1884-1885). Emri i tij është i lidhur ngushtë me shkollën e parë kombëtare shqipe Mësonjëtorja Shqipe e Korçës si drejtor i parë i saj dhe mësimdhënës i lëndëve: aritmetikë, histori, gjeografi, mësim natyre dhe gjuhë frënge. Ishte një ndër nismëtarët e themelimit të “Shoqërisë së Mësimit Shqip” (1888) në Korçë. U vra pabesisht në Stamboll nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare, nga agjentët grekomanë.

*   *   *

MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Qysh ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ishte një shkollë fillore me fizionomi të plotë kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Shkolla u hap në kushtet e pushtimit osman, me nismën e një grupi rilindësish dhe me mbështetjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Mësimi jepej falas për nxënësit meshkuj dhe femra të çdo lloj besimi fetar apo shtrese shoqërore. Nxënësit mësonin shkrim e këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, aritmetikë, gjeografi dhe histori të botës dhe të Shqipërisë etj. Drejtuesit a saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar.

Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të mëmëdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.

Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars 1887 veprimtari i Rilindjes Kombëtare, veçanërisht i arsimit në gjuhën shqipe Thimi Vasil Marko (Korçë, 1855 – Korçë, 1922) i shkruante publicistit Vissar Dodanit (rreth v. 1857-1939) në Bukuresht: “Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që mbollëm këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Përpjekjet e faqezinjve grekomanë dështuan.”

 Drejtuesit e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naimi e Samiu dhe që ishin shtypur e dërguar falas nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare. 

Përveç Pandeli Sotirit që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar si veprimtari i Rilindjes Kombëtare Thanas Sina (1859-1934), Petro Nini Luarasi (1865-1911), atdhetari i Rilindjes Kombëtare Naum Dhimitër Naçi (1871-1927) i njohur si Nuçi Naçi, veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit shqiptar Thoma Avrami (1869-1943) etj. Th. Avrami, si delegat i Korçës, mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në vitet 1911-1912 drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës.   

Në pranverë të vitit 1891, pas Pandeli Sotirit, drejtimin e shkollës shqipe në Korçë e mori Petro Nini Luarasi. Njëherazi, ai ndihmoi edhe financimin e shkollave të tjera në Shqipërinë e jugut. P. N. Luarasi ishte edhe zëvendëskryetar i kongresit të dytë të Manastirit, më 1-6 prill 1910, në të cilin u zgjodh përfundimisht debati për alfabetin e shqipes. Vdiq në Gostivisht më 17 gusht 1911. Sipas të dhënave të caktuara, e helmoi kleri grek, në bashkëpunim me xhandarët vendës.    

*   *   *

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë vendit dhe u bë nxitje për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, Leskovik,  Ersekë, etj. Shkrimi shqip filloi të mësohej edhe në mjaft fshatra. Shkollën shqipe në Pogradec e hapi vëllai i Pandeli Sotirit – mësuesi Koço Sotiri (1847-1909) më 14 mars 1887. Më 1889, shkolla shqipe u hap edhe në Prizren.  

Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet edhe kërkesa të shumta për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes, qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj.

*   *   *

Po në këtë kohë u themelua në Korçë Shoqëria e Mësimit Shqip në krye me Alo Dishnicën. Kjo shoqëri kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte veprimtarinë e aktivistëve, të shpërndarë në krahina të ndryshme të Shqipërisë, për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve dhe për shtypjen e teksteve shkollore.

*   *   *

Kundër shkollës shqipe të Korçës shpërthyen valë të furishme kundërshtimi nga qarqet antishqiptare greke. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të autoriteteve osmane. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra dhe vetë drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra më 1891 në Stamboll nga agjentët grekomanë. Por, atdhetarët shqiptarë, mbarë populli shqiptar, të etshëm për dritë e dituri, kurrë nuk u përulën para trysnisë së forcave obskurantiste mesjetare që synonin t’i mbanin shqiptarët në errësirë.

*   *   *

Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës veproi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë dhe pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe nga disa klerikë antikombëtarë. Në prag të shekullit XX ajo u bë me gjashtë klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë, u bënë veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirimin kombëtar, në rrugën e pandalshme të kombit shqiptar drejt integrimit në familjen perëndimore.

*   *   *

Shkolla e vashave në Korçë Hapja e të parës shkollë shqipe, të njohur zyrtarisht, në Korçë më 1887, e frymëzoi Gjeraqimin dhe të motrat Sevasti e Parashqevi, të hapnin një shkollë për vajzat. Me ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900) dhe të misionarëve amerikanë e anglezë, ato morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetot 1991 hapën të parën shkollë shqiptare të vashave në Korçë.

Mësuese të para të kësaj shkolle ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, e lindur në Manastir, Polikseni Luarasi dhe Parashqevi Qiriazi. Polikseni Luarasi, e lindur në Korçë në vitin 1880, ishte e para mësuese që dilte nga bankat e shkollës së parë shqipe për vashat në Korçë. Njëherazi, ajo është edhe e para tipografe femër në Shqipëri.

*   *   *

 Prej vitit 1960, “7 Marsi” festohet si ditë e mësuesve dhe e nxënësve, si përkujtim i themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Në këtë festë vlerësohen traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri, si veprimtarë dhe ndërtues aktivë të një shoqërie të përparuar. Kjo ditë festohet me nderim çdo vit në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.

Festohet pra në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ndër çamë. E feston edhe diaspora shqiptare në Evropë, në ShBA etj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews