Ballina Diaspora Çifti shqiptar u vra mizorisht nga babai i 25-vjeçares, rrëfimi prekës i...

Çifti shqiptar u vra mizorisht nga babai i 25-vjeçares, rrëfimi prekës i vëllait të dhëndrit

Një ngjarje e rëndë ndodhi në fund të vitit 2019, në Melburn në Australi, ku një baba shqiptar, Osman Shaptafaj, vrau vajzën e tij Lindita Musai 25 vjeç dhe dhëndrin e tij Vetonin 29 vjeç para shtëpisë së tyre. Çifti kishte dalë për të festuar 1 vjetorin e martesës, festime që u përmbyllën në mënyrën më tragjike të mundshme. Shkak për këtë ngjarje tragjike duket se ka qenë fakti se Shaptafaj ishte ndjerë i parespektuar dhe ishte i inatosur sepse nuk i kishin kërkuar leje përpara se të martoheshin. Ai po ashtu mendonte se fëmijët kishin krijuar “aleancë” me nënën e tyre pas ndarjes, e kjo kishte nisur të krijonte probleme në familje. Në shkurt të këtij viti ai është shpallur fajtor për vrasjen e vajzës së tij 25 vjeçare dhe të dhënrit të tij, ditën e ndërrimit të viteve në 2019-n. Çifti, shqiptar nga Maqedonia e Veriut jetonin prej vitesh në Australi, po ktheheshin në shtëpinë e tyre në Yarraville, kur u qëlluan nga pas. Vajza vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj një ditë më pas në spital.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, prokurorja e çështjes Catherine Parkes i tha trupës gjykuese se Shaptafaj jetonte i vetëm në Altona dhe nuk kishte leje për të mbajtur armë. Ai u largua nga shtëpia e tij në orën 08:20 të mëngjesit me armë e municione me vete dhe udhëtoi me makinë deri në zonën Yarraville. Pasi qarkulloi nëpër rrugët e lagjes, ai parkoi para shtëpisë së çiftit, rreth orës 09:00. Ngjarja ndodhi në 10:23, momenti kur Linda dhe Vetoni mbërritën në shtëpi dhe i ranë ziles. Ndërkohë që prisnin, Shaptafaj i erdhi nga pas dhe i qëlloi me armë nga një distancë e shkurtër. Një anëtar i familjes dëgjoi të shtënat dhe doli jashtë me vrap. Çiftin e gjeti përtokë në derë të shtëpisë, ndërsa Shaptafajn disa metra më tutje me armën e drejtuar nga vetja dhe pa shprehi në fytyrë. Më pas ai shkoi në një park që ndodhej aty pranë dhe e qëlloi veten dy herë në kokë. U dërgua në spital dhe iu nënshtrua operacionit. Atij iu hoq syri i djathtë dhe mbeti me dëmtim në tru. Në gjykatë u tha se policia nuk ka mundur të zbulojë se ku e gjeti armën Shaptafaji. Po ashtu autoritetet nuk kanë mundur të përcaktojnë se nga e dinte ai që çifti po kthehej në shtëpi.

Linda dhe vëllai

Shaptafaj ishte martuar në 1989 dhe çifti kishte dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Prokurorja tha se Shaptafaj kishte qenë i dhunshëm me familje dhe ishte divorcuar në vitin 2008. Në gjykatë u mësua po ashtu se Linda i kishte thënë vëllait të saj se e urrente të atin dhe se shpresonte se nuk do ta shihte më kurrë, e kështu do të mund të jetonte pa frikën se ai mund të kthehej për ta lënduar sërish. Familja ishte shkëputur tërësisht nga Shaptafaj dhe nuk e takonte që prej 2011-s. Ndërkohë në gjykatë mes 28 personave që kanë dëshmuar ka qenë edhe vëllai i madh i Vetonit, Drilon Musai, i cili është prekur dhe përlotur disa herë gjatë dëshmisë së tij. Ai ka deklaruar se që nga lindja nuk ishte ndarë kurrë me vëllain e tij, dhe dhomat e gjumit i kanë pasur vetëm një metër larg njëri-tjetrit. “Ai ishte shoku im më i mirë, ai ishte i besuari im, ai ishte partneri im në krim. Ne jetuam nën të njëjtën çati gjatë gjithë jetës sonë dhe dhomat tona nuk ishin kurrë më shumë se një metër larg njëra-tjetrës”, ka thënë ai. Ndër të tjera ai ka bërë me dije se Musai tha se vdekja e vëllait të tij i kishte lënë atij një guaskë të një njeriu, i cili tani nuk ishte në gjendje as të qeshte sepse ndante të qeshurën identike me atë të vëllait të tij të vdekur.

Vetoni me vëllezërit

Duke u përlotur disa herë, Musai tha se ishte i detyruar të planifikonte funeralet e vëllait dhe kunatës së tij një vit pasi kishte planifikuar dasmat e tyre. Avokatja mbrojtëse e tij, tha në gjykatë se ndarja nga bashkëshortja dhe më pas nga familja e kishte tronditur thellësisht. “Vitet që pasuan duket se kishte zënka me fëmijët dhe besonte se pas ndarjes ata kishin krijuar aleancë me të ëmën kundër tij”, tha ajo.

Në 2013-n Shaptafaj u përfshi në një aksident të rëndë me motor dhe që prej asaj kohe nuk ishte në gjendje të punonte. Ai jetonte vetëm dhe e kalonte kohën duke parë televizor apo duke luajtur në kompjuter. Më vonë u diagnostikua me çrregullim depresiv. Nga fundi i 2019-s, sipas avokates së tij, Shaptafaj nuk kishte qenë në gjendje të mirë mendore. Sipas avokates, kishte një ‘vakum’ që mund të shpjegonte vrasjen e dyfishtë.

Por gjyqtari i çështjes tha se të gjitha të dhënat tregonin se Shaptafaj kishte qenë i zemëruar për faktin se nuk i kishin marrë leje për t’u martuar.

@tn.lajmelokale
@tetovanews