Ballina Argëtim Jetë & Stil Si duhet të veprojnë prindërit për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet virtuale?

Si duhet të veprojnë prindërit për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet virtuale?

Përdorimi pa kriter i internetit është kthyer në një rrezik të madh për fëmijët. Studime të shumta të kryera në këtë drejtim, tregojnë se gjatë viteve të fundit është rritur në masë përdorimi i internetit nga fëmijët, po ashtu edhe i rreziqeve që mund të vijnë prej tij.

Psikologia shkollore, Anila Hodo tregon se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në lejimin e lundrimit të fëmijëve në botën virtuale. Në vijim, Hodo tregon këshillat se si duhet të veprojnë prindërit, për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet virtuale.

Ushtrimi i kontrollit prindëror në teknologji, në ditët e sotme është një mekanizëm mjaft i dobishëm për të mbrojtur fëmijët tanë nga aktiviteti virtual. Por si duhet të veproni për të arritur një kontroll të tillë eficient, dhe në të njëjtën kohë të ruani një marrëdhënie të shëndetshme pa shkaktuar refuzime nga ana e fëmijëve në lidhje me këtë proces, duke vendosur kështu kufij dhe rregulla, të cilat duhen ndjekur dhe zbatuar në vazhdimësi.

Së pari ajo që duhet të bëni, është të tregoheni sa më të hapur me fëmijët, duke nxitur një komunikim të sinqertë me njëri-tjetrin, duke ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që ata kanë në lidhje me teknologjinë. Duhet t’u bëni me dije fëmijëve rreziqet që u kanosen nga ekspozimi virtual, si dhe t’i orientoni ata të mos shpërndajnë të dhënat e tyre në rrjet.

Është shumë e rëndësishme që gjatë kohës që fëmijët përdorin internetin, të ndihmohen të mbrohen nga adresa dhe kontakte, të cilat kanë përmbajtje të papërshtatshme në përputhje me moshën e tyre.

Për grupmoshat foshnje deri në 12 vjeç, mund të përdorni disa teknika të tilla sigurie, si: aplikacione, të cilat kufizojnë lundrimin e fëmijëve në internet. Gjithashtu, mund të krijoni profile të përshtatshme për çdo pjesëtar të familjes, për të ndihmuar filtrimin e internetit dhe për të selektuar informacionin që merr fëmija.

Gjithmonë duhet që të uleni pranë me fëmijët gjatë kohës që ata qëndrojnë në linjë. Nëse faqe të ndryshme kërkojnë të dhëna të fëmijës, për të personalizuar aktivitetin e tyre, atëherë duhet që të inkurajoni fëmijët që të përdorin pseudonime, në mënyrë që të ruajnë të dhënat e tyre personale.

Për grupmoshat 13-18 vjeç, që përkon edhe me periudhën e varësisë dhe pavarësisë së adoleshencës, jemi të vetëdijshëm që në ketë fazë, përdorimi i aktivitetit virtual është edhe më i gjatë. Në këtë fazë të dashur prindër, duhet të jeni të gatshëm që të ndihmoni fëmijët që të kuptojnë mesazhet e papërshtatshme dhe situatat e pasigurta që shkakton qëndrimi në rrjet.

Disa teknika të sigurta që do t’ju ndihmonin në këtë rast janë:

Të inkurajoni fëmijët që të tregojnë nëse dikush, apo diçka, i bën të ndihen keq, apo të kërcënuar.

Duhet të informoni fëmijët në lidhje me ndalimin e faqeve që janë me përmbajtje për të rritur. Është e nevojshme që të informoheni se cilat faqe shikon më shpesh fëmija juaj, dhe me cilin person komunikon më shpesh virtualisht. Në këtë mënyrë mund të ndaloni fëmijët të takohen me ata që quhen miq virtual.

Edhe në këtë rast përdorimi i aplikacioneve për të kufizuar lundrimin e fëmijëve në internet, ose aktivizimi i bllokimit të mesazheve pop-up është një teknikë efikase për të siguruar një lundrim të sigurt të fëmijëve në internet.

Mos harroni çdo anëtar i familjes duhet të bëhet një model pozitiv referimi për fëmijët të cilët përballen me lundrimin në internet. Komunikimi midis jush është çelës suksesi për një marrëdhënie të shëndetshme prind fëmijë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews