Nëse planifikoni të udhëtoni drejt Serbisë gjatë fundjavës, tregoni kujdes për shkak të shiut të ngrirë dhe formimit të akullit në rrugë. Autoritetet paralajmërojnë për kushte të rrezikshme dhe bëjnë thirrje për vozitje të kujdesshme.
Nëse keni në plan të udhëtoni në Serbi gjatë fundjavës, jini veçanërisht të kujdesshëm për shkak të paraqitjes së të ashtuquajturit “shi i ngrirë”, përkatësisht rrezikut të shtuar nga akulli në rrugët në të gjithë vendin.
Ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes maksimal, pasi sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, më 3 dhe 4 janar, pritet shi që do të ngrijë në momentin e kontaktit me tokën. Në pjesët veriore dhe lindore të Serbisë paralajmërohen edhe reshje bore.
“U bëjmë thirrje shoferëve që, pa ndonjë nevojë urgjente, të mos nisen në udhëtim. Nëse megjithatë udhëtojnë, është e domosdoshme të kenë pajisje dimërore dhe zinxhirë dhe të respektojnë rreptësisht kufizimet e shpejtësisë”, thuhet në njoftimin e NP “Rrugët e Serbisë”, të cilin e transmeton Tanjug.
Nga ndërmarrja shtojnë se e gjithë mekanizimi i disponueshëm është i angazhuar 24 orë, ndërsa ekipet rrugore janë në gatishmëri të vazhdueshme për ndërhyrje, me qëllim që qarkullimi të zhvillohet në mënyrë të sigurt./TetovaNews















