Ballina Aktualitet Njëri djalë i vdiq 6 muaj më parë, Enea u vra dje!...

Njëri djalë i vdiq 6 muaj më parë, Enea u vra dje! Tragjedi e dyfishtë në familjen Mekolli, i jepet lamtumira “Dëshmorit të Atdheut”

Vetëm gjashtë muaj pas humbjes së djalit të parë, familja Mekolli është përballur me një tjetër tragjedi të rëndë. Enea Mekolli, efektiv i forcave “Shqiponja”, mbeti i vrarë gjatë operacionit policor të zhvilluar më 4 qershor në fshatin Lozhan.

Vision Plus mëson se familja Mekolli kishte humbur edhe djalin tjetër vetëm gjashtë muaj më parë, pas një sëmundjeje të rëndë.

Gazetari i Vizion Plus, Tonin Frroku, bëri të ditur se gjatë muajve të fundit janë organizuar katër operacione nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, me mbështetjen e forcave speciale dhe RENEA-s, për kapjen e Violand Braçellarit. Megjithatë, i dyshuari kishte arritur t’u shmangej aksioneve policore, duke u larguar pak para mbërritjes së efektivëve.

Ndërkohë, efektivi i plagosur gjatë operacionit, Edison Adri, ndodhet në gjendje stabël dhe pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale.

Homazhet në nder të Enea Mekollit do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa ceremonia mortore do të mbahet në orën 14:00.

Ai do të prehet në vendin e lindjes. Edhe pse u shpall “Dëshmor Atdheu” dhe protokolli parashikon që të prehet në varrezat në Tiranë, ishte dëshira e familjes që djali i tyre të varrosej pranë vëllait.

Çfarë ndodhi dje në Lozhan

Enea Mekolli 34 vjeç, efektiv i forcave ‘Shqiponja’, humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen 43-vjeçarit Violand Braçelllari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg per prodhim e shitje të lëndëve narkotike.

Nga ngjarja e rëndë mbeti i plagosur edhe kolegu i tij, efektivi Edison Adri, 36 vjeç.

Autori i krimit fshihej në një stan dhe forcat e policisë shkuan për ta arrestuar pasi kishin rënë në gjurmët e tij. 43-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjeve për tu dorëzuar, por përkundrazi hapi zjarr në drejtim të efektivëve duke i marrë jeten Mekollit, baba i një fëmije të mitur e duke plagosur rëndë Edison Adrin.

Historia nisi mbrëmjen e 3 qershorit kur në Komisariatin e Policisë Maliq u paraqit Aleksandër Kola, 32 vjeç, i cili tregoi se ishte kanosur dhe goditur me qytën e një arme automatike nga Violand Braçellari.

Pas informacioneve se Braçellari fshihej në zonën e Malit të Bodesës, në fshatin Lozhan bashkë me nënën, policia organizoi operacionin për kapjen e tij. Në aksion ishin vetëm 6 policë të forcave shqiponjave, edhe pse Braçellari i kishte shpëtuar edhe katër herë ndër vite operacioneve të RENEA-s e të policisë së Korçës.

Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:00, forcat e policisë rrethuan banesën pranë stallave ku dyshohej se qëndronte personi në kërkim. Ky i fundit refuzoi të dorëzohej, duke qëlluar me breshëri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ai mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua. Braçellari mori tre plumba.

Një vit më parë, autori mendohet të ketë dhunuar edhe një shtetas tjetër, duke e tërhequr zvarrë me kalë për më tepër se dy orë.

Sipas dosjes gjyqësore, në shtator të vitit 2015 policia zbuloi prova që lidhnin Braçellarin me kultivimin, tharjen dhe transportimin e cannabisit.

Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024./vizionplus.tv