Kuvendi zgjodhi Meri Dika Georgievskën gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, pasi propozimi mori mbështetjen e 64 deputetëve.
Vendimin e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pas përfundimit të votimit.
“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me shumicë votash. E vendos në votim propozimin që Meri Dika Georgievska të zgjidhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Me 64 vota pro, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, Dika Georgievska zgjidhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Gashi.
Pas zgjedhjes, Meri Dika Georgievska dha betimin solemn para deputetëve në Kuvend, me çka e mori zyrtarisht detyrën e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.
Meri Dika Georgievska është juriste e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku diplomoi në vitin 1985. Studimet e magjistraturës në shkencat juridike i përfundoi në Universitetin “American College” në Shkup në vitin 2014.
Provimin e jurisprudencës e dha në vitin 1987. Karrierën e filloi si praktikante në një zyrë avokatie dhe si bashkëpunëtore profesionale, ndërsa më pas punoi si avokate në zyrën e saj.
Nga viti 1996 deri në vitin 2005 ishte gjyqtare në Gjykatën Themelore Shkupi II, ndërsa më pas vazhdoi punën si gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Nga viti 2012 deri në vitin 2018 ishte anëtare e Këshillit Gjyqësor, pas së cilës u rikthye në Gjykatën e Apelit. Në vitin 2023 u zgjodh kryetare e Gjykatës së Apelit në Shkup.
Gjatë karrierës së saj ka qenë kryetare e sektorëve ekonomikë në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit. Ajo gjithashtu flet gjuhën angleze./TN














