Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një nga rëniet më të mëdha dhe më të përhapura të kriminalitetit në historinë moderne. Studiuesit ende nuk janë plotësisht të sigurt se pse po ndodh kjo — por kanë disa teori.
Studimet e para tregojnë për një kombinim faktorësh: rënien e konsumit të alkoolit dhe drogave që nga pandemia e COVID-it, teknologjitë policore të fuqizuara nga inteligjenca artificiale që ua bëjnë më të lehtë forcave të rendit kapjen e të dyshuarve, plakjen e popullsisë, ndjekjen penale më të ashpër dhe faktorë të tjerë.
Pse ka rëndësi: Të kuptuarit më mirë të faktorëve që po shkaktojnë rënien e krimit të dhunshëm mund t’i ndihmojë qytetet të vendosin se cilat programe duhet të vazhdojnë edhe pasi të përfundojnë fondet federale të epokës së pandemisë — si dhe të dallojnë politikat që realisht ulin dhunën nga ato që thjesht po përfitojnë prej rënies historike të kriminalitetit.
Shifrat: Norma e krimit të dhunshëm në SHBA ra me 9,7% gjatë vitit 2025, rënia më e madhe vjetore që nga fillimi i përllogaritjeve kombëtare të FBI-së, 90 vjet më parë.
Norma e vrasjeve ra me 18,5%, në 4,1 vrasje për 100.000 banorë, duke barazuar vitet 1955 dhe 1956 si norma më e ulët që nga fillimi i statistikave kombëtare.
Dhe rënia nuk është ndalur. Një analizë e Axios tregon se krimi i dhunshëm në qytetet e mëdha ka vazhduar të bjerë edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Kriminologët përshkruajnë një tablo të ndërlikuar lidhur me arsyet e rënies së kriminalitetit. Askush nuk është plotësisht i sigurt, por duket se disa faktorë të ndërthurur po e nxisin këtë prirje.
1. U zbeh konsumi i alkoolit, drogave dhe blerja e armëve
Rritjet e konsumit të alkoolit, përdorimit të drogave të paligjshme dhe blerjes së armëve të zjarrit gjatë periudhës së pandemisë — tre faktorë të lidhur me rritjen e vrasjeve në vitet 2020–2021 — tashmë janë zbutur.
2. Rikthimi në rutinën normale
Kufizimet gjatë COVID-it ndërprenë mekanizmat mbrojtës të komuniteteve dhe nxorën nga rutinat e zakonshme shumë të rinj dhe adoleshentë meshkuj. Që atëherë, punësimi dhe ritmet shoqërore janë stabilizuar.
3. Bum i teknologjisë në zbatimin e ligjit
Departamentet e policisë po përdorin gjithnjë e më shumë mjete të inteligjencës artificiale, analiza parashikuese dhe platforma të tilla si Palantir Gotham, për të shpërndarë më mirë burimet dhe për të identifikuar zonat ku ka përqendrim të kriminalitetit.
Por edhe prirjet demografike dhe shëndetësore, të cilave u kushtohet më pak vëmendje, po e ndryshojnë në heshtje sigurinë publike.
Përqindja e të rinjve në popullsinë amerikane po zvogëlohet, duke reduktuar grupmoshën që historikisht ka qenë më e lidhur me kriminalitetin në rrugë.
Në një kthesë interesante nga fusha e mjekësisë, përhapja e shpejtë e barnave për humbje peshe të grupit GLP-1, si Ozempic, është lidhur në studime klinike me uljen e abuzimit me alkoolin dhe përmirësimin e kontrollit të impulseve — dy faktorë të rëndësishëm në veprat penale të dhunshme.
Çfarë thonë ekspertët: Leonard Adam Sipes Jr., ish-specialist i lartë i statistikave në Departamentin amerikan të Drejtësisë, i tha Axios se “nuk ka asnjë dyshim” që konsumimi më i ulët i alkoolit ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e kriminalitetit.
Sipes pajtohet gjithashtu se plakja e popullsisë amerikane dhe zvogëlimi i përqindjes së të rinjve po ushtrojnë presion në drejtim të uljes së kriminalitetit.
Megjithatë, sipas tij, është ende herët për të ditur nëse inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera të reja kanë pasur ndikim të madh.
Por disa mjete, thotë ai, funksionojnë qartësisht:
“Dronët funksionojnë. Lexuesit e targave, po, funksionojnë.”
Ana tjetër: Insha Rahman, presidente e Vera Institute of Justice, i tha Axios se rënia e kriminalitetit nuk mund të shpjegohet thjesht si një rikthim i shoqërisë në normalitet pas COVID-it. Sipas saj, qytetet kanë bërë investime konkrete që kanë ndihmuar në parandalimin e dhunës.
Shumë qytete zgjeruan programet verore të punësimit për të rinjtë dhe programet e zhvillimit të fuqisë punëtore. Gjithashtu u shtua trajtimi për shëndetin mendor, ndërhyrja komunitare kundër dhunës dhe njësitë e reagimit ndaj krizave, tha Rahman.
Ajo përmend Newarkun, Çikagon, Baltimorën, Detroitin, Los Anxhelosin dhe Orlandon si qytete që po zbatojnë atë që quhet “focused deterrence” – parandalim i fokusuar, duke përqendruar policinë, ekipet e reagimit ndaj krizave dhe shërbimet sociale në lagje të caktuara ku rreziku është më i lartë.
Megjithatë: Administrata Trump ia ka atribuar një pjesë të rënies së krimit të dhunshëm dislokimit të Gardës Kombëtare dhe ndërhyrjeve të tjera federale në qytete si Washington, D.C. dhe Memphis.
Prokurorja amerikane Jeanine Pirro ka deklaruar se shtimi i ndjekjeve penale ka ndihmuar në uljen e kriminalitetit në Washington, D.C.
Kontrolli i realitetit: Sipas Sipes dhe Rahman, ka pak prova që dislokimi i Gardës Kombëtare ose ndjekjet penale më agresive të kenë qenë shkaku i rënies së kriminalitetit në nivel kombëtar.
Të dy theksuan se kriminaliteti është ulur gjithashtu në qytete që nuk kanë ndryshuar taktikat e ndjekjes penale dhe ku Garda Kombëtare nuk është dislokuar.
Çfarë duhet ndjekur më tej: Fondet federale të epokës së pandemisë për programet lokale kundër kriminalitetit përfundojnë në fund të këtij viti, gjë që do të ushtrojë presion edhe më të madh mbi departamentet policore që tashmë përballen me mungesë personeli.
Edhe një përkeqësim ekonomik mund ta vështirësojë situatën. Historikisht, kushtet më të këqija ekonomike janë shoqëruar me rritje të kriminalitetit./Axios















