Ballina Bota Harta e drogës në Turqi ndryshoi: U përhapën drogat sintetike, vdekjet u...

Harta e drogës në Turqi ndryshoi: U përhapën drogat sintetike, vdekjet u rritën me 30 për qind

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për vitin 2025 treguan se panorama e drogës në Turqi ka ndryshuar. Ndërsa sasitë e heroinës së sekuestruar ranë, në plan të parë dolën substancat sintetike. Brenda një viti, 557 persona humbën jetën për shkaqe të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e drogës, ndërsa u sekuestruan më shumë se 123 milionë tableta sintetike.

Raporti i Turqisë për Drogën, i cili përmban të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për vitin 2025, evidentoi një ndryshim të dukshëm në tregun e drogës. Sipas raportimit të Kısa Dalga, ndërsa heroina, që tradicionalisht ka qenë ndër drogat kryesore në rrugët e kontrabandës, shënoi rënie, rastet e lidhura me metamfetaminën, barnat sintetike, kanabinoidet sintetike dhe kokainën u bënë më të dukshme.

311 mijë raste, 379 mijë të dyshuar

Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 në të gjithë Turqinë u regjistruan 311.793 raste të lidhura me drogën. Në kuadër të këtyre rasteve u ndërmorën procedura ndaj 379.185 personave të dyshuar.

Në vitin 2019, numri i rasteve të lidhura me drogën ishte 148.821. Kështu, brenda gjashtë vjetësh, numri i rasteve të regjistruara është rritur më shumë se dyfish. Megjithatë, në raport theksohet se shifrat e rasteve mund të ndikohen edhe nga intensiteti i operacioneve dhe nga praktikat e regjistrimit.

Sipas të dhënave për sasitë e drogës së sekuestruar në Turqi gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë:

Heroina: 2,8 tonë, rënie 34,9 për qind.
Kanabinoidet sintetike: 3,0 tonë, rritje 34,7 për qind.
Kokaina: 3,1 tonë, rritje 1,1 për qind.
Metamfetamina: 25,3 tonë, rënie 25,2 për qind.
Kanabisi: 40,0 tonë, rënie 35,0 për qind.
Ecstasy: 6,6 milionë tableta, rritje 28,7 për qind.
Captagon: 20,0 milionë tableta, rritje 26,0 për qind.
Barna sintetike: 123,0 milionë tableta, rritje 30,3 për qind.
Bimë kanabisi: 63,1 milionë rrënjë, rënie 41,8 për qind.

Video bonus

Rënie e madhe e heroinës

Një nga ndryshimet më të dukshme u regjistrua te heroina. Në vitin 2021, në Turqi ishin sekuestruar 22,2 tonë heroinë, ndërsa në vitin 2025 kjo sasi ra në 2,8 tonë.

Edhe numri i rasteve të lidhura me heroinën ra nga 17.503 në vitin 2022 në 4.661 në vitin 2025. Raporti vë në dukje se në këtë rënie ka ndikuar reduktimi i prodhimit të opiumit në Afganistan.

U sekuestruan 123 milionë tableta sintetike

Në të kundërt me rënien e heroinës, sekuestrimi i barnave sintetike shënoi një rritje shumë të madhe. Numri i tabletave sintetike të sekuestruara, që në vitin 2019 ishte rreth 2 milionë, arriti në 123 milionë e 330 mijë në vitin 2025.

Gjatë vitit 2025 u zbuluan gjithashtu gjithsej 16 qendra të paligjshme për prodhimin e tabletave: 11 në Stamboll, tri në Izmir dhe nga një në Bursa e Antalia. Në këto qendra u sekuestruan më shumë se 33 milionë tableta dhe 1.403 kilogramë lëndë aktive.

Detaji i Stambollit për metamfetaminën

Edhe sasitë e metamfetaminës së sekuestruar janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nga rreth 1 ton në vitin 2019, sasia arriti në 33,8 tonë në vitin 2024. Në vitin 2025 u sekuestruan 25,3 tonë metamfetaminë.

Në të njëjtin vit, në Stamboll, Yalova, Kocaeli dhe Gaziantep u zbuluan 15 qendra të paligjshme për përpunimin e metamfetaminës. U bë e ditur se 12 prej tyre ndodheshin në Stamboll.

Në rritje rastet me “bonzai”

Rritje u regjistrua edhe në rastet e lidhura me “bonzai”, emërtim me të cilin njihet kanabinoidi sintetik. Në vitin 2025 u regjistruan 58.316 raste me 75.041 të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 3 tonë lëndë.

Krahasuar me një vit më parë, numri i rasteve të lidhura me “bonzai” u rrit me 19,4 për qind, ndërsa numri i të dyshuarve me 18,4 për qind.

557 persona humbën jetën brenda një viti

Një nga të dhënat më të spikatura të raportit lidhet me vdekjet e shkaktuara drejtpërdrejt nga përdorimi i drogës. Sipas të dhënave të Institutit të Mjekësisë Ligjore, numri i vdekjeve, që në vitin 2024 ishte 427, u rrit në 557 në vitin 2025. Kështu, rritja brenda një viti ishte rreth 30,4 për qind.

Nga personat që humbën jetën, 530 ishin burra dhe 27 gra, ndërsa mosha mesatare u llogarit në 35,9 vjeç.

Numri i vdekjeve të lidhura me drogën në Turqi ishte 941 në vitin 2017, 657 në vitin 2018, 342 në vitin 2019, 314 në vitin 2020, 270 në vitin 2021, 246 në vitin 2022, 300 në vitin 2023, 427 në vitin 2024 dhe 557 në vitin 2025.

Në dy nga çdo tri vdekje u konstatua “bonzai”

Në 351 nga 557 rastet e vdekjeve u konstatua prania e kanabinoideve sintetike. Kjo përbënte afërsisht 63 për qind të numrit të përgjithshëm të rasteve.

Metamfetamina u konstatua në 156 raste vdekjeje, kokaina në 88 dhe ecstasy në 54 raste. Në 247 prej vdekjeve u konstatua përdorimi i njëkohshëm i më shumë se një substance.

Të dhënat për burgjet tërhoqën gjithashtu vëmendjen

Sipas raportit, në vitin 2025, nga 402.546 të paraburgosur dhe të dënuar që ndodheshin në institucionet e ekzekutimit të dënimeve në Turqi, 179.978 ndodheshin në burg për vepra penale të lidhura me drogën.

Kjo shifër përbën rreth 44,7 për qind të popullsisë së përgjithshme të burgjeve. Në vitin 2023, numri i personave që ndodheshin në burg për vepra penale të lidhura me drogën ishte 98.355.

U sekuestruan pasuri me vlerë 32 miliardë lira

Në 44 operacione të zhvilluara gjatë vitit 2025 kundër të ardhurave të përfituara nga krimet e drogës, u sekuestruan pasuri me vlerë 32 miliardë e 189 milionë lira, 614 automjete dhe 1.804 prona të paluajtshme.

Të dhënat e raportit tregojnë se, ndërsa pesha e heroinës në tregun e drogës në Turqi po zvogëlohet, substancat sintetike dhe aktivitetet e paligjshme të prodhimit e përpunimit po dalin gjithnjë e më shumë në plan të parë./Yeniçağ