Ballina Diaspora Ishte frymëzim për këngën e Sanremo-s, Ermal Meta humb njeriun e dashur

Ishte frymëzim për këngën e Sanremo-s, Ermal Meta humb njeriun e dashur

Mësuesja, e cila frymëzoi Ermal Metën për këngën “Vietato Morire” nuk jeton më. Lajmin e trishtë e ka dhënë vetë këngëtari përmes një postimi në rrjete sociale.

Ermal Meta ka treguar se mësuesja e tij e shkollës fillore, Margarita Feka, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 78-vjeçare. Së bashku me këtë lajm të hidhur, Ermal Meta ka ndarë në Instagram dhe një foto të vjetër nga shkolla. Ai shfaqet së bashku me shokët e tij të klasës dhe në mes të tyre mësuesja e ndjerë. Ermali tregon se i kishte premtuar mësueses se do e vizitonte këtë verë, duke qenë se do të mbajë dhe një koncert në Shqipëri.

“Mësuese Margarita nuk është më. Kisha premtuar që ta vizitoja një ditë pas koncertit që do të bëj në Shqipëri këtë verë. Do kisha dashur ta përqafoja dhe ta falënderoja.

Jam i sigurt se do të kisha gjetur të njëjtin shikim të ëmbël që gjeja sa herë që hyja në klasë dhe të mos mundem ta bëj më këtë gjë më dhemb.

Përshëndetje mësuese, fëmijët e tu të përshëndesin dhe unë të falënderoj për të gjitha përkëdheljet e tua në secilën prej plagëve të mia”, shkruan Ermal Meta duke publikuar dhe foto të mësueses së tij, frymëzim i këngës “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh).

@tn.lajmelokale
@tetovanews