Nga Yohan Blavignat – L’Express
Ai është një nga studiuesit më të cituar në botë. Në krye të Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME) në Universitetin e Uashingtonit, epidemiologu dhe ekonomisti amerikan i shëndetësisë Christopher Murray drejton Global Burden of Disease, bazën gjigante të të dhënave që shërben si pikë referimi për shumë qeveri në mbarë botën. Ai bashkëkryeson punën e komisionit të The Lancet për kërcënimet globale ndaj shëndetit, i cili shqyrton faktorët që mund të zhbëjnë përparimin e akumuluar që nga viti 1945: përdorimin keqdashës të inteligjencës artificiale, konfliktin bërthamor, ndryshimet klimatike, obezitetin dhe pabarazitë.
Diagnoza e tij ka dy anë. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, jetëgjatësia e shëndetshme do të vazhdojë të rritet. Por parashikueshmëria që karakterizonte periudhën e pasluftës është zhdukur dhe inteligjenca artificiale ka një rol të madh në këtë. Për L’Express, ai flet për shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare, rolin e Kinës dhe fundin e ëndrrave për një botë me një numër të madh njëqindvjeçarësh. Ai shpjegon gjithashtu pse u kërkon shteteve të financojnë, në secilin vend, një grup të vogël njerëzish, detyra e të cilëve do të ishte të mendonin për një horizont shumë afatgjatë.
L’Express: Pas disa dekadash përparimesh spektakolare në jetëgjatësi, uljen e vdekshmërisë foshnjore dhe luftën kundër sëmundjeve infektive, ku ndodhemi realisht sot? A vazhdon shëndeti i njerëzimit të përmirësohet në shkallë globale, apo kemi hyrë në një periudhë stanjacioni, madje edhe regresi?
Christopher Murray: Treguesi që ne preferojmë është jetëgjatësia e shëndetshme, sepse ajo mat jo vetëm gjatësinë e jetës, por edhe kohën që kalon një person në gjendje të mirë funksionale në çdo moshë. Ajo vazhdon të rritet, por më ngadalë se jetëgjatësia, sepse njerëzit kalojnë më shumë vite me sëmundje në moshë të avancuar. Disa vende kanë përjetuar stanjacion, si Shtetet e Bashkuara, si rezultat i efektit të kombinuar të opioideve, obezitetit dhe një rritjeje të lehtë të vetëvrasjeve. Të gjithë përjetuan goditjen e vdekshmërisë që lidhej me Covid-in, por shumica e vendeve janë rikthyer në trajektoren e tyre. Në skenarin tonë bazë, atë ku tendencat aktuale vazhdojnë, jetëgjatësia e shëndetshme do të vazhdojë të përmirësohet gjatë dekadave të ardhshme. Pra, pavarësisht të gjitha problemeve, tabloja e përgjithshme është mjaft optimiste.
Deri në vitin 2100, cilat përparime mund ta transformojnë më rrënjësisht shëndetin e njerëzimit? A duhet të presim një revolucion në terapitë gjenike, mjekësinë rigjeneruese, parandalimin e personalizuar apo trajtimin e sëmundjeve që sot janë të pashërueshme? Cilat kufij biologjikë mund të arrijmë t’i shtyjmë dhe cilët ka të ngjarë të mbeten jashtë mundësive tona?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Ne shikojmë të dhënat e së kaluarës për të kuptuar të ardhmen, por mund të ketë ndërprerje rrënjësore dhe IA-ja mund t’i përshpejtojë ato. Prandaj skenari ynë bazë mund të jetë edhe pesimist. Përparimet ka të ngjarë të vijnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceret, ku përqendrohet një sasi shumë e madhe kërkimi shkencor. Terapia gjenike in vivo mund të ketë ndikim në disa sëmundje. Për HIV-in ka shumë shpresë, por edhe pasiguri të vërtetë lidhur me realizueshmërinë e saj. Për sëmundjet monogjenike, përfitimi për pacientët dhe familjet e tyre mund të jetë jashtëzakonisht i madh, por ato prekin shumë pak njerëz për të ndryshuar situatën në shkallë popullsie.
Mbi të gjitha, asgjë në të dhëna nuk sugjeron se do të rritet numri i njerëzve që do të jetojnë mbi 105 vjeç. Ky përqindje ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht e vogël. Përfitimet vijnë nga njerëzit që mbijetojnë pas të 40-ave, 50-ave ose 60-ave, jo nga ata që e shtyjnë më tej fundin e jetës. Jemi shumë skeptikë ndaj idesë se do të jetojmë deri në 200 vjeç.
A mund të imagjinojmë në mënyrë realiste që fëmijët e lindur sot të jetojnë rregullisht deri në 100 apo 120 vjeç? Apo sfida e vërtetë do të jetë më pak zgjatja e jetës dhe më shumë shtyrja e shfaqjes së sëmundjeve dhe ruajtja e autonomisë deri në moshë të avancuar?
Deri në fund të këtij shekulli, presim që shumica e vendeve me të ardhura mesatare të larta ose të larta të arrijnë një jetëgjatësi midis 85 dhe 90 vjetësh. Vendet me të ardhura të ulëta, veçanërisht në Afrikën Subsahariane, ka të ngjarë të mbeten dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet prapa, pavarësisht përparimeve të arritura. Pjesa kryesore e përfitimeve nuk do të vijë nga rritja e numrit të personave mbi 100 vjeç, por nga një mbijetesë më e mirë pas moshës 70-vjeçare. Nga ana tjetër, po përparojmë shumë më ngadalë në parandalimin e aftësive të kufizuara dhe sëmundjeve që dëmtojnë cilësinë e jetës: demencat, çrregullimet neurologjike, sëmundjet e kockave dhe kyçeve ose problemet e shëndetit mendor.
Për momentin, pra, jemi më të aftë të ulim vdekshmërinë sesa të garantojmë vite shtesë të jetuara me shëndet të mirë. Do të duheshin inovacione të mëdha terapeutike për ta ndryshuar rrënjësisht këtë situatë.
Raporti i fundit i Komisionit të The Lancet për kërcënimet globale ndaj shëndetit e identifikon gjithashtu përdorimin keqdashës të IA-së – veçanërisht projektimin e armëve biologjike – si një rrezik që mund të kërcënojë mbijetesën e njerëzimit. Deri në vitin 2100, a ka të ngjarë që IA-ja të ketë shpëtuar më shumë jetë sesa të ketë rrezikuar?
Të dyja janë të mundshme. Është krejtësisht e arsyeshme të presim nga IA-ja përmirësime spektakolare në diagnostikim, trajtim dhe terapi të reja. Diagnostikimi do të bëhet shumë më i mirë dhe kjo tashmë ka filluar. Kërkimi do të përshpejtohet dhe shpresoj se do të kemi përfitime shumë të mëdha.
Por aktorë keqdashës kanë që sot qasje në mjete që mund ta lehtësojnë projektimin ose prodhimin e agjentëve biologjikë të rrezikshëm, madje edhe rikombinimin e thjeshtë të ADN-së, pa përmendur krijimin e patogjenëve të rinj. Ky është një kërcënim shumë real. Më e vështira për t’u vlerësuar është humbja e kontrollit: sulme kundër sistemeve shëndetësore ose rrjetit elektrik, shkatërrim afatgjatë i internetit, armë autonome.
Pra, ka një rrezik të jashtëzakonshëm dhe një përfitim të jashtëzakonshëm dhe duhet t’i mendojmë të dyja së bashku. Në thelb, pasiguria për të ardhmen tonë është rritur ndjeshëm për shkak të IA-së. Që nga Lufta e Dytë Botërore kemi përjetuar hapa prapa – epideminë e HIV-it, krizën e vdekshmërisë në Evropën Lindore. Por në shumicën e vendeve ishte e lehtë të parashikohej se viti pasardhës do të ishte më i mirë se ai aktual. Me IA-në, kjo është më pak e sigurt.
Sot, në vitin 2026, a është raporti 50 me 50 mes një skenari ku IA-ja bëhet e dëmshme për njerëzimin dhe një tjetri ku bëhet e dobishme?
Jo, unë anoj shumë qartë nga ana pozitive. Rrezikun e një perspektive shumë të keqe e vlerësoj në 10 për qind ose më pak. Nëse ndërgjegjësohemi dhe e rregullojmë më mirë, mund ta shtyjmë edhe më shumë balancën në drejtimin pozitiv. Ka gjithashtu tronditje sociale që lidhen me punësimin dhe efektet e tyre në shëndetin mendor, të cilat nuk kemi mundur t’i modelojmë sepse thjesht nuk e dimë. Disa parashikojnë një ndikim masiv në punësim. Nuk jam i sigurt për këtë, por është një shqetësim legjitim.
Komisioni e rendit konfliktin bërthamor dhe dimrin e mundshëm bërthamor mes kërcënimeve me potencial zhdukjeje. Përtej viktimave të drejtpërdrejta, cilat do të ishin pasojat shëndetësore të një konflikti të tillë gjatë disa dekadave?
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, shumë njerëz pushuan së menduari për mundësinë e një konflikti të madh bërthamor, të paktën deri kohët shumë të fundit. Kur isha fëmijë, të gjithë ishim shumë të shqetësuar nga kërcënimi sovjetik. Brezat që erdhën më pas ishin shumë më pak të shqetësuar, deri në pushtimin e Ukrainës dhe kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore.
Çdo konflikt bërthamor do të ishte shumë i rëndë, me pasoja afatgjata aty ku do të zhvillohej, ndoshta mes fuqive të mëdha. Mbetet skenari, i debatueshëm, i urisë bërthamore: një shkëmbim mjaftueshëm masiv bërthamor do të hidhte në stratosferë aq shumë pluhur sa të ftohte Tokën dhe të ulte në mënyrë drastike prodhimin global të ushqimit. Disa mendojnë se kjo nuk do të ndodhte dhe se një pjesë e njerëzimit do të mbijetonte falë metodave alternative të prodhimit ushqimor. Por nuk mund të themi se është e pamundur. Pikërisht për këtë arsye e kemi përfshirë si një rrezik që duhet marrë në konsideratë.
Komisioni juaj identifikon gjithashtu kërcënime si ndryshimet klimatike, rezistenca ndaj antimikrobikëve, pandemitë, pabarazitë, obeziteti dhe përkeqësimi i shëndetit mendor. Cilat prej këtyre rreziqeve mund të kenë pasojat më të rënda për shëndetin e njerëzimit deri në vitin 2100? Dhe, mbi të gjitha, cilat prej tyre jemi ende në gjendje t’i parandalojmë ose t’i zvogëlojmë në mënyrë vendimtare?
Ne kemi matur barrën e sëmundjeve që mund të modifikohet. Kemi përdorur diferencat e vëzhguara mes vendeve gjatë tridhjetë e pesë viteve të fundit për të përcaktuar rezultatin më të mirë dhe më të keq të besueshëm. Diferenca mes të dyjave përbën barrën mbi të cilën mund të ndërhyhet. Për habinë tonë, më e madhja është obeziteti, i ndjekur nga niveli i ulët i arsimit, sepse disa vende kanë përparuar shumë më shpejt se të tjerat, me përfitime të jashtëzakonshme shëndetësore. Faktori i tretë është pabarazia e të ardhurave: disa vende kanë arritur ta ulin atë, me efekte të konsiderueshme.
Duhet të jemi të kujdesshëm: qeveritë kanë edhe shqetësime të tjera, si efektet ekonomike ose sociale. Ne kemi shqyrtuar vetëm dimensionin shëndetësor. Mesazhi ynë është se shtetet duhet të shqetësohen për një gamë kërcënimesh shumë më të gjerë nga sa bëjnë zakonisht. Në fillim mendonim për tri kërcënime të mëdha: klimën, konfliktet dhe pandemitë. Por analiza na çoi te një grup shumë më i gjerë rreziqesh.
Ndryshimet klimatike tashmë ndikojnë në vdekshmërinë nga temperaturat e larta, përhapjen e disa sëmundjeve dhe sigurinë ushqimore. Çfarë duhet të presim në gjysmën e dytë të shekullit nëse politikat aktuale nuk arrijnë ta kufizojnë mjaftueshëm ngrohjen globale?
Ne përdorëm modelet klimatike CMIP6, duke krahasuar skenarin me emetime të larta (RCP 8.5) me atë të emetimeve të ulëta (RCP 2.6). Kemi shqyrtuar efektet e drejtpërdrejta të nxehtësisë, të cilat janë të rëndësishme, por edhe ato mbi ndotjen e ajrit, malarien, dengën, ngjarjet ekstreme dhe kequshqyerjen. Në Sahel, veçanërisht në Afrikën Perëndimore dhe deri në Sudanin e Jugut, një skenar me emetime të larta mund të kushtojë deri në tre vjet jetëgjatësi deri në fund të shekullit. Kjo është shumë. Në Arizona, për shembull, ndikimi mund të arrijë rreth një vit.
Ka disa përjashtime: në vende të ftohta si Norvegjia ose Skocia, rritja e temperaturave mund të ulë disa shkaqe vdekshmërie që lidhen me të ftohtin. Por kjo nuk do t’i kompensonte efektet negative që do të shiheshin në shumicën dërrmuese të rajoneve. Është e rëndësishme, por nuk është kërcënim për zhdukje. Të paktën jo gjatë këtij shekulli. Në shekullin pasardhës, megjithatë, nëse nuk ndërmerret asnjë masë, pasojat mund të përkeqësohen ndjeshëm.
Inovacionet mjekësore mund të mundësojnë përparime të jashtëzakonshme, por rrezikojnë gjithashtu t’u sjellin përfitime fillimisht popullsive më të pasura. Në vitin 2100, a do të vazhdojnë të jenë të mëdha diferencat e jetëgjatësisë mes vendeve dhe kategorive shoqërore, apo mund të shpresojmë t’i zvogëlojmë rrënjësisht?
Në trajektoren aktuale, fatkeqësisht parashikojmë pabarazi të mëdha, si brenda vendeve, ashtu edhe mes tyre: dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet diferencë në jetëgjatësi. Për t’i zvogëluar ato, arsimi është absolutisht vendimtar, ashtu si edhe ulja e pabarazive në të ardhura. Nevojitet gjithashtu qasje më e mirë në kujdes shëndetësor cilësor. Këtu shtohen më pak duhanpirje, ushqyerje më e mirë ose më shumë aktivitet fizik, por këta faktorë zakonisht ndjekin nivelin e arsimit dhe të ardhurave, si edhe një urbanistikë që lehtëson qasjen në ushqim të mirë dhe aktivitet fizik. Themeli janë të ardhurat, arsimi dhe qasja në kujdes shëndetësor cilësor.
Ulja e financimeve ndërkombëtare për shëndetin rrezikon të dobësojë programet e vaksinimit, luftën kundër HIV-it dhe malaries, si dhe sistemet shëndetësore të vendeve më të cenueshme. A po rrezikojmë përparime që janë dashur dekada për t’u arritur?
Këto shkurtime tashmë kanë pasur ndikim, nga ajo që po shohim, veçanërisht në vdekshmërinë foshnjore. Për HIV-in, të dhënat janë ende në rregull për momentin, por situata mund të përkeqësohet. Qasja në antiretroviralë [Shënim i redaksisë: barna që përdoren për trajtimin e infeksionit me HIV] është ruajtur duke zvogëluar programet e testimit, gjë që vonon diagnostikimet në vendet me burime të kufizuara. Ende nuk e njohim mirë efektin mbi malarien dhe tuberkulozin, por shkurtimet mund të kenë qenë të konsiderueshme. Presim pasoja reale gjatë pesë deri në dhjetë viteve të ardhshme.
Ekziston një nismë politike, “Accra Reset”, e nisur nga presidenti i Ganës, John Dramani Mahama: tronditja nga shkurtimet po i shtyn shumë vende me të ardhura të ulëta ose mesatare të varen më pak nga ndihma dhe t’i financojnë vetë programet e tyre shëndetësore. Ende nuk e shohim këtë në të dhëna dhe kjo është e vështirë kur baza tatimore është e vogël. E panjohura tjetër është pasuria e re e Silicon Valley, një pjesë e së cilës, sipas tij, mund të kontribuojë në organizata si Fondi Global – pa ndonjë angazhim të shpallur deri tani. Ende nuk është njoftuar asgjë, por presim që kjo të ndodhë. Edhe kjo mund të mbulojë një pjesë të mungesës së financimit.
Deri në fund të këtij shekulli, Kina mund të bëhet fuqia e parë botërore, duke zëvendësuar Shtetet e Bashkuara. A do të ndikonte kjo në shëndetin global dhe ndihmën për zhvillim?
Modelet tona sugjerojnë se Kina mund të bëhet ekonomia e parë në botë brenda një brezi. Më pas gjithçka bëhet më e pasigurt, sepse popullsia e saj do të ketë rënë ndjeshëm. Nëse nuk e zgjidh problemin demografik, nuk ka shumë gjasa të mbetet dominuese në gjysmën e dytë të shekullit. Një vend si Nigeria, popullsia e së cilës do të vazhdojë të rritet, mund të bëhet vendi më i populluar në botë sipas projeksioneve demografike. Pra, Kina do të jetë shumë e fuqishme për një brez. Pas kësaj, është shumë më e vështirë të thuhet.
Puna juaj konsiston në matjen e kërcënimeve dhe identifikimin e ndërhyrjeve që mund të zvogëlojnë humbjet e jetëve njerëzore dhe viteve të jetës së shëndetshme. Megjithatë, rreziqet më të mëdha shpesh janë pikërisht ato që duken të pamundura deri në momentin kur realizohen. A jemi mjaftueshëm të përgatitur përballë rreziqeve të rralla, por potencialisht katastrofike?
Jo, nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur. Këtë mund ta them me siguri. Duhet të mendojmë si për sigurimin e një shtëpie kundër zjarrit. Për çdo individ këto janë ngjarje të rralla, por shumica e njerëzve në vendet e pasura sigurohen. Shoqëritë duhet të pyesin veten se çfarë lloj sigurimi duhet të blejnë përballë këtyre rreziqeve. Duhet të zvogëlojmë si mundësinë që ngjarja të ndodhë, ashtu edhe dëmet nëse ajo ndodh: të rregullojmë IA-në e avancuar për të rritur gjasat e përafrimit të saj me interesat njerëzore, të mendojmë se çfarë mund t’i zbusë pasojat e një dimri bërthamor në rast konflikti, të zvogëlojmë rrezikun e luftës mes fuqive të mëdha. Ky është kuptimi i mesazhit tonë për shtete dhe sisteme shëndetësore “të gatshme për kërcënimet”: të identifikojnë rreziqet me të cilat përballen dhe të mendojnë se si mund t’i parandalojnë dhe si të përgatiten për to.
Nëse do të mund t’u impononit udhëheqësve të botës vetëm një vendim për të përmirësuar shëndetin e njerëzimit deri në vitin 2100, cili do të ishte ai?
Do të ishte pikërisht ai që sapo përmenda: t’i kërkohej çdo shteti të financonte një grup, misioni i të cilit nuk do të ishte afati i shkurtër, por afati i gjatë. Nën presionin e së tashmes, qeveritë shikojnë dy, tre ose pesë vjet përpara. Duhet një strukturë, jo domosdoshmërisht e madhe, e ngarkuar të shqyrtojë dekadat që vijnë, për të parashikuar, parandaluar dhe përgatitur. Çdo vend duhet ta zhvillojë këtë diskutim mbi mënyrën se si do të përballet me këto kërcënime të ardhshme. Pa një grup që e ka si detyrë profesionale të shqetësohet për të ardhmen e largët, ne mbetemi të përqendruar vetëm te afati i shkurtër.
A ka megjithatë arsye për të qenë optimistë?
Në përgjithësi, po. Ne kemi arritur ta mbajmë nën kontroll kërcënimin bërthamor për më shumë se 75 vjet dhe kemi mësuar të menaxhojmë shumë kërcënime të tjera. Mendoj se do të gjejmë përgjigje edhe për këto. Por kjo kërkon që t’i marrim seriozisht këto kërcënime, t’i parashikojmë pasojat e tyre dhe t’i krijojmë vetes mjetet për të vepruar përpara se të jetë tepër vonë.






























