Ballina Argëtim Kuriozitete Plaka nga Hajvalia që i “lë” shtatzënë gratë dhe i “çon” nga...

Plaka nga Hajvalia që i “lë” shtatzënë gratë dhe i “çon” nga karroca të paralizuarit

Në Hajvali, një fshat pak kilometra larg Prishtinës, përveç rezidencës përrallore të biznesmenit dhe zëvendëskryeministrit Behgjet Pacollit, ku po ashtu një kohë tentohej të zhvendosej edhe administrata shtetërore, gjendet edhe një shtëpi ku disa njerëz shkojnë të kërkojnë shërim për sëmundje dhe zgjidhje për probleme të ndryshme.

Dhjetëra persona, kryesisht gra, gjatë gjithë ditës prisnin pranë një shtëpie dykatësh në Hajvali. Të gjithë këta kishin nga një hall, për të cilin kërkonin zgjidhje tek një grua që thotë se ka dhunti për të bërë mrekulli. Në katin e dytë të shtëpisë me ngjyrë të verdhë gratë ngjiteshin një e nga një. Ato priteshin nga zonja Fazile Berisha. Ajo me shami në kokë e me një palë tespihe në duar i priste personat që hynin në dhomën e saj.

Personat që hyjnë tek ajo janë kryesisht gra. Rreth 20 minuta zgjat seanca me këtë zonjë. Aty, gratë i tregojnë hallet e tyre.

Por, mënyra se si kjo zonjë rreth të 70’ve u gjen zgjidhje këtyre personave është unike. Ajo për Gazetën Express, ka rrëfyer për punën që e bën qe pothuajse 50 vjet.

Me vetëm leximin e librit të shenjtë për myslimanët, Kuranit, si dhe këndimin e 12 palë tespiheve ajo thotë se mund të zgjidhë shumë probleme, madje edhe ato të cilat nuk ka mundur t’i zgjidhë as shëndetësia e as shkenca.

Vendi ku zonja punon

Këtë punë, ajo thotë se po e bën qe 48 vjet. Për dhuntinë që thotë se e ka, ka treguar edhe detaje se si e ka përfituar.

“Dhuntia më ka ardh prej Zotit. Unë kam qenë duke jetu në katun, ka qenë ditë e premte dhe kam shku me marrë ujë prej kroit. Dy kova i kam pas në krah, dhe ka ardhë melaqja dhe më ka thanë nuk je ti për kova, dhe më ka pyet a falesh, i kam thanë jo, më ka pyet për dovë, i kam tregu se çfarë di. Më ka thanë merr abdes, dhe aty kam nisë me i fal pesë kohët. Dhe prej aty ka filluar dhuntia ime’, rrëfehet 69-vjecarja nga Hajvalia.

E tek kjo zonjë, gratë që nuk kishin mundur të lindnin fëmijë, sipas saj, zgjidhjen e kishin gjetur në Hajvali. Madje thotë se u ka ndihmuar edhe grave që për 18 vite nuk kanë pasur fëmijë.

“Ka raste që vijnë gratë të cilat gati 18 vite nuk kanë pas fëmijë. Unë grave që vijnë këtu iu them nëse jeni për tek unë, ju keni sukses, nëse nuk jeni, iu sugjeroj që të shkojnë te mjeku”.

E brenda ditës tek kjo grua, ilaç kërkojnë mbi 100 gra. Por, nuk është vetëm shtatzënia e arritura e vetme që kjo grua thotë se e ka bërë tek klientët e saja. Tek ajo ka edhe shumë pacientë të QKUK’së që shkojnë e kërkojnë shërim.

Mjetet me të cilat ajo punon

Ajo ndër të tjera e përmend edhe një rast tjetër interesant të një pacienti i cili kishte mbetur i paralizuar. Thotë se të njëjtit mjekët i kishin thënë se nuk ka shërim.
Me leximin e Kuranit me anë të tespiheve, ajo thotë se ka ngritur në këmbë një person të paralizuar.

“Para disa ditëve ma kanë sjellë këtu tek unë një grua të paralizuar. Ka qëndrua në spital, atje i kishin thanë që të shkojë në shtëpi se më s’ka asgjë prej saj. E kanë sjellë këtu duke e mbajt. Ajo me këmbë të saja e duar të saja prej këtu ka dal”, rrëfen gruaja të cilën shumë persona po e shohin me fuqi të mbinatyrshme.

Tutje ajo tregon se edhe cilat kategori tjera të personave kërkojnë shërim tek ajo.

“Këtu vijnë raste, gratë që nuk kanë fëmijë, persona të paralizuar, prej spitali mi sjellin pacientët vet motrat e mjekët kanë sjellë dhe unë i kam shiku me dua e me Kuran. Vijnë persona që kanë ndonjë hall në familje, rreth e të tjerë. Vijnë mjek, polic e të tjerë”.

Megjithëkëtë, zonja nga Hajvalia, shprehet forma të tjera përveç leximit të Kuranit për shërim të këtyre personave nuk përdor.

“Unë filxhanit nuk i besoj, letrave jo, plumbit jo, falltaret nuk i pranojë. Unë kush të më vie në shtëpi i pranoj me Kuran të Zotit”, thotë ajo.

Tutje ajo tregon se” dhuntinë e ka nga Zoti dhe se të njëjtën mundohet që ta shpërndajë tek të tjerët./GazetaExpress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews