Ballina Magazina In memoriam për Avdilvahit Kasamin (1956–2025) – Një jetë që të frymëzon

In memoriam për Avdilvahit Kasamin (1956–2025) – Një jetë që të frymëzon

31 vite me një veshkë të transplantuar – simbol i forcës, përkushtimit dhe dashurisë familjare

Sot ndajmë me krenari dhe mall historinë e jashtëzakonshme të babait tonë, vëllait tonë, gjyshit tonë – Avdilvahit Kasami nga Tetova, i cili përballoi sëmundjen e veshkave me një forcë dhe disiplinë që rrallë shihet.

Në korrik të vitit 1989, ai ra në dializë. Pas 5 vitesh përpjekjesh, udhëtimesh dhe shprese nëpër Slloveni, Francë e më gjerë, në vitin 1994 kreu një transplant veshke në Indi – dhe që prej asaj dite jetoi edhe 31 vite të tjera, gjithmonë nën kujdesin e mjekut nefrolog dhe me respekt të plotë ndaj çdo rregulli mjekësor.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ai asnjëherë nuk iu nda disiplinës rigoroze:
Ushqehej vetëm në shtëpi, pa ushqime të konservuara apo të gatshme nga marketet, nuk frekuentonte kafene apo restorante, përveç rasteve të rralla. mbante gjithmonë kalendarin pranë vetes, duke shënuar me përpikëri çdo orar të barnave.

Ishte shembull i rrallë për mjekët dhe pacientët – i përmendur nga vetë nefrologët si pacient model

Por mbi të gjitha, ai kurrë nuk ishte vetëm.

Vëllezërit e tij gjithmonë i qëndruan pranë – në çdo udhëtim, në çdo vizitë spitalore, në çdo betejë. Ata ishin gjithmonë aty, pa e lënë asnjëherë të vetmuar.

Më 20 gusht 2025, ai u nda nga kjo jetë, por jo nga zemrat tona.

La pas një trashëgimi krenarie dhe kujtimi të pashlyeshëm – një djalë, një nip dhe një mbesë, që do të rriten me historinë e një burri që jetoi me dinjitet, forcë dhe besim.

Jemi falënderues ndaj të Madhit Zot që na e la pranë për kaq shumë vite, më shumë sesa e kishim menduar ndonjëherë.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij.

Me dashuri dhe nderim – familja Kasami.